Shqipëria

“Ëndërroj të kthehem në shtëpi një ditë”


Në një rrëfim për Associated Press (AP), Ghazaal Habibyar, aktivistja, e cila gjendet në Shqipëri, ëndërron për kthimin në shtëpinë e saj, Afganistan.

Habibyar dhe burri i saj, së bashku me tre fëmijët e tyre, u evakuuan nga Afganistani.

“Mendja e saj nuk është e qetë, sepse shumë të tjerë që ajo i njeh janë ende në rrezik nga talebanët”, shkruan AP-ja.

Habibyar, 38 vjeç, është ende e shqetësuar për familjen e saj.

Familja e saj, përfshirë një vajzë 2-muajshe dhe aktivistë të tjerë të të drejtave të njeriut hipën në një autobus për 36 orë, duke u përpjekur të gjenin një hyrje në Aeroportin Hamid Karzai të Kabul-it.

Pak para se të hipnin në aeroplan të enjten e 26 gushtit, një zhurmë e madhe mund të bënte që fluturimi i tyre të anulohej.

Pas 40 minutash, ata u ngjitën në bordin e avionit, i cili u ngrit në një mënyrë të frikshme vertikale për të shmangur të shtënat.

“Ka raste në jetën tuaj kur ndiheni fajtorë që jeni gjallë. Në atë rast mund të kishim qenë ne, patjetër”, rrëfeu ajo për AP-në të dielën e 29 gushtit.

Aktiviste me Fondacionin për Shoqërinë e Hapur, Habibyar nuk mundi dot të mbaronte shkollën kur ishte e re, pasi kishte frikë nga qëndrimi i talebanëve ndaj grave dhe arsimit.

Kështu që ajo u diplomua në Australi. Përkundër mundësive jashtë vendit, u kthye në Kabul në vitin 2006.

Që prej asaj kohe, ka punuar në shumë pozicione publike, duke përfshirë edhe zëvendësministren e minierave dhe benzinës.

Ajo thotë se Afganistani ka ndryshuar për mirë në dy dekadat e fundit, duke deklaruar se “nuk është Afganistani i vitit 1996”.

Por, në provincat e qeverisura nga talebanët, “shkollat ​​e vajzave u mbyllën. Gratë nuk lejoheshin të punonin”.

Megjithatë, ajo është kritike për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara dhe NATO u larguan nga vendi.

“Kjo katastrofë njerëzore që po ndodh tani, mund të ishte parandaluar. I gjithë ky proces evakuimi mund të ishte menaxhuar shumë më mirë”, tha ajo për AP-në.

Shumica e afganëve të mbërritur në Shqipëri, me poste zyrtare në Afganistan

Nëpërmjet një statusi në Twitter, Përfaqësuesja e Distriktit të 8-të Michigan-it në Shtetet e Bashkuara, Elissa Slotkin, ka bërë me dije se shumica e afganëve që kanë mbërritur në Shqipëri zinin poste zyrtare në Afganistan.

“Më shumë se 70 prej këtyre njerëzve ishin të lidhur me Universitetin Shtetëror të Miçiganit, ndërsa 30 të tjerë ishin ish-zëvendësministra, staf dhe oficerë ushtarakë të ish-qeverisë afgane, të cilët qenë kërcënuar dhe gjuajtur nga talebanët”, nënvizon Slotkin në deklaratën e saj.

Përfaqësuesja ka shkruar se vetëm pak orë më parë – referuar mbërritjes së tyre në Shqipëri – ekipi i saj arriti të evakuonte me sukses pas një odiseje të tensionuar 10-ditore, 114 shtetas afganë jashtë Kabul-it.

Slotkin sqaron se shumica e këtyre shtetasve afganë fluturuan mbrëmjen e 28 gushtit në Shqipëri, “falë bujarisë së qeverisë shqiptare dhe punës së shpejtë të diplomatëve”.

Për përfaqësuesen e Michigan-it, ekipit të saj iu desh të lidhej me një rrjet të gjerë dhe shpesh të dhunshëm njerëzish në të gjithë botën, që ndjenin frikën e këtyre afganëve, dhe u ngritën për të ndihmuar.

“Shumë prej tyre kishin shërbyer në Afganistan dhe kishin vënë energjinë dhe frustrimet e tyre në largimin e njerëzve”, ravijëzon Slotkin.

Zyrtarja amerikane, e cila punon edhe si analiste për CIA-n, shtoi se lista e njerëzve për të falënderuar është e madhe duke përfshirë forcat ushtarake amerikane dhe australiane që veprojnë në SHBA, Afganistan, Katar dhe Shqipëri, të cilët “vazhdojnë të kryejnë me guxim misionin pavarësisht rreziqeve serioze”.

Më tej, Slotkin rrëfen se gjatë rrugës, anëtarët individualë të Ushtrisë Amerikane, Marinsat dhe Forcat Ajrore, si dhe oficerët e shërbimit të jashtëm të Departamentit të Shtetit, stafi në MSU dhe miqtë e saj në botën e sigurisë kombëtare iu përgjigjën thirrjes “kur ishim të dëshpëruar dhe përtej çdo përshkrimi të punës”.

Duke iu kthyer Ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, Slotkin shkruan se diplomatja ka qenë e jashtëzakonshme “duke na ndihmuar të zhvendosim këta shtetas afganë në Shqipëri me një njoftim jashtëzakonisht të shkurtër”.

Përfaqësuesja garanton ndërkaq se, gjatë ditëve të ardhshme, ekipi i saj dhe ajo vetë do të vazhdojnë të bëjnë pjesën e tyre të punës për të evakuuar në mënyrë të sigurt sa më shumë shtetas afganë të jetë e mundur.

“Siç dëshmoi bota dje, ky mision është i mbushur me rrezik dhe i gjithë kombi ynë vajton humbjen e 13 anëtarëve të shërbimit amerikan të vrarë në krye të detyrës, duke ndihmuar të tjerët”, iu kthye Slotkin atentatit vetëvrasës në Aeroportin e Kabul-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore