Shqipëria

Shumica e afganëve të mbërritur në Shqipëri, me poste zyrtare në Afganistan


Përfaqësuesja e Distriktit të 8-të Michigan-it në Shtetet e Bashkuara, Elissa Slotkin

Nëpërmjet një statusi në Twitter, Përfaqësuesja e Distriktit të 8-të Michigan-it në Shtetet e Bashkuara, Elissa Slotkin, ka bërë me dije se shumica e afganëve që kanë mbërritur në Shqipëri zinin poste zyrtare në Afganistan.

“Më shumë se 70 prej këtyre njerëzve ishin të lidhur me Universitetin Shtetëror të Miçiganit, ndërsa 30 të tjerë ishin ish-zëvendësministra, staf dhe oficerë ushtarakë të ish-qeverisë afgane, të cilët ishin kërcënuar dhe gjuajtur nga talebanët”, nënvizon Slotkin në deklaratën e saj.

Përfaqësuesja ka shkruar se vetëm pak orë më parë – referuar mbërritjes së tyre në Shqipëri – ekipi i saj arriti të evakuojë me sukses pas një odiseje të tensionuar 10-ditore, 114 shtetas afganë jashtë Kabul-it.

Slotkin sqaron se shumica e këtyre shtetasve afganë fluturuan mbrëmjen e 28 gushtit në Shqipëri, “falë bujarisë së qeverisë shqiptare dhe punës së shpejtë të diplomatëve”.

Për Përfaqësuesen e Michigan-it, ekipit të saj iu desh të lidhej me një rrjet të gjerë dhe shpesh të dhunshëm njerëzish në të gjithë botën që ndjenin frikën e këtyre afganëve dhe u ngritën për të ndihmuar.

“Shumë prej tyre kishin shërbyer në Afganistan dhe kishin vënë energjinë dhe frustrimet e tyre në largimin e njerëzve”, ravijëzon Slotkin.

Zyrtarja amerikane, e cila punon edhe si analiste për CIA-n, shtoi se lista e njerëzve për të falënderuar është e madhe duke përfshirë forcat ushtarake amerikane dhe australiane që veprojnë në SHBA, Afganistan, Katar dhe Shqipëri, të cilët “vazhdojnë të kryejnë me guxim misionin pavarësisht rreziqeve serioze”.

Më tej, Slotkin rrëfen se gjatë rrugës, anëtarët individualë të Ushtrisë Amerikane, Marinsat dhe Forcat Ajrore, si dhe oficerët e shërbimit të jashtëm të Departamentit të Shtetit, stafi në MSU dhe miqtë e saj në botën e sigurisë kombëtare ju përgjigjën thirrjes “kur ishim të dëshpëruar dhe përtej çdo përshkrimi të punës”.

Duke iu kthyer Ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, Slotkin shkruan se diplomatja ka qenë e jashtëzakonshme “duke na ndihmuar të zhvendosim këta shtetas afganë në Shqipëri me një njoftim jashtëzakonisht të shkurtër”.

Përfaqësuesja garanton ndërkaq se gjatë ditëve të ardhshme, ekipi i saj dhe ajo vetë do të vazhdojnë të bëjnë pjesën e tyre të punës për të evakuuar në mënyrë të sigurt sa më shumë shtetas afganë të jetë e mundur.

“Siç dëshmoi bota dje, ky mision është i mbushur me rrezik dhe i gjithë kombi ynë vajton humbjen e 13 anëtarëve të shërbimit amerikan të vrarë në krye të detyrës, duke ndihmuar të tjerët”, iu kthye Slotkin atentatit vetëvrasës në Aeroportin e Kabul-it.

Shqipëri

Në dy ditë, 275 shtetas afganë, të arratisur nga Kabuli për shkak të ndërrimit të pushtetit, i cili kaloi në duart e tabelanëve, kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit në tre fluturime të pritura prej një jave.

Ky është ende një numër i vogël i afganëve të cilët pritet të vijnë, por ndryshe nga java e shkuar ku fluturimet shtyheshin prej tensioneve të larta në aeroportin e kryeqytetit afgan, këtë javë tre të njëpasnjëshme kanë ndodhur, me në pritje dhjetëra të tjerë.

Mbërritjet kanë qenë sërish në orët e para të mëngjesit.

Ndryshe nga partia e parë me 121 syresh, të cilët u vendosën në strukturat e akomodimit në Durrës, këtë herë, 154 të tjerët, janë vendosur përkohësisht në qytetin studenti, në dy godina.

Të angazhuar janë edhe fondacione të shumta humanitare, për sjelljen e sigurt të afganëve në Shqipëri. Pikërisht nga këtu, çdo procedurë e mëpasshme do të kryhet për të vijuar procesin me lejet e qëndrimet amerikane, të cilat do t’u bëjnë atyre të mundur, stabilizimin përfundimtar në SHBA.

Ndërsa, Qeveria shqiptare, mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për t’i strehuar këta shtetas.

E ka theksuar këtë gjë si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Strukturat akomoduese janë gati dhe të pajisura me çdo mjet të nevojshëm.

Ecuria e fluturimeve gjithsesi, duhet parë, dhënë kushtet e vështira në Kabul.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore