Lajme

Emërohet komandanti i ri i KFOR-it në Kosovë, zotohet për bashkëpunim


Emërimi i komandantit të ri të KFOR-it në Kosovë.

Të hënën e 10 tetorit është ndërruar komanda e KFOR-it.

Komandanti i 27-të i KFOR-it është gjeneralmajori italian, Angelo Michele Ristuccia.

Ish-komandanti i KFOR-it, Ferenc Kajari është shprehur i gëzuar për arritjet gjatë këtyre viteve sa ka qenë udhëheqës.

“Duke pasur parasysh këtë, mendoj se mund të them me siguri se puna ime si komandant i KFOR-it nuk do të kishte qenë kurrë kaq e suksesshme, nëse nuk do të ishte për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe vetëmohues të stafit të KFOR-it dhe njësive vartëse. Kam pasur mbështetje të jashtëzakonshme nga Komandat Rajonale, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim”.

Kajari, ka falënderuar të gjithë për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, teksa shtoi se marrëdhëniet me institucionet e Kosovës ishin shumë të mira.

“Në nivel lokal, marrëdhënia me institucionet në Kosovë ishte shumë mirë e trajtuar, partnerët ishin gjithmonë të gatshëm të takoheshin dhe të bashkëpunonin edhe pas njoftimit për një kohë të shkurtër – gjë që shpesh ishte e nevojshme”.

“Akterët ndërkombëtarë dhe kolegët e mi krerë të misioneve, si dhe ambasadorët dhanë mbështetje të jashtëzakonshme dhe besoj se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit ishte kyç gjatë periudhave më sfiduese”.

KFOR, foto nga arkivi.

Ndërsa, gjeneralmajroi italian, Angelo Michele Ristuccia fjalimin e tij të parë në këtë pozitë e filloi duke kujtuar të gjithë të rënët.

Ai shtoi se sakrifica e tyre meriton angazhimin e tyre për të garantuar paqe siguri dhe stabilitet.

“KFOR-i është një histori suksesi dhe ky sukses është rezultat i përkushtimit të të gjithë atyre që, politikisht dhe në terren, kanë kontribuar për stabilitetin, sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe që kanë mbështetur zhvillimin e një dialogu konstruktiv ndërmjet palëve”.

Michele Ristuccia, u zotua se me përkushtim të plotë do t’i përmbush detyrat e tij të përcaktuara në këtë mandat.

“Falënderoj Autoritetet Politike e Ushtarake Italiane dhe ato Shumëkombëshe, që më kanë besuar këtë detyrë. I siguroj ata se jam i vetëdijshëm për përgjegjësitë dhe sfidat e mëdha që duhet të përballen”.

“Jam i sigurt në mbështetjen e tyre, por i siguroj se këto sfida do t’i kthejmë në mundësi me transparencë, paanshmëri, vendosmëri, konsistencë me mandatin, në sinergji me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe EUSR-në për Kosovën, EULEX-in, UNMIK-un, OSBE-në, dhe në konsultime të ngushta me organizatat e sigurisë së Kosovës, shefin e Mbrojtjes së Serbisë dhe akterë të tjerë në rajon”.

Më 15 tetor të 2021, gjeneralmajori i ushtrisë së Hungarisë, Ferenc Kajari, ishte emëruar komandanti i ri i KFOR-it.

Kajari, kishte vlerësuar se emërimi është një njohje serioze e gatishmërisë së forcave të armatosura hungareze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore