Jetesë & Stil

Elton John: Doja ta birësoja një fëmijë jetim në Ukrainë, nuk mu lejua ngaqë jam homoseksual


Këngëtari anglez, Elton John, ka zbuluar se takimi me një jetim ukrainas në vitin 2009 e frymëzoi atë dhe bashkëshortin e tij, David Furnish të birësonin – por ata nuk u lejuan për shkak të orientimit të tyre seksual.

Ylli i hitit “Rocket Man” zbuloi në podkastin e Dua Lipës gjatë fundjavës se atyre iu mohua mundësia për të adoptuar një foshnjë 14-muajshe në atë kohë.

Elton John gjatë vizitës në Ukrainë dhe djali për të cilin ka folur së fundmi.

“Unë e mbaja këtë djalë të vogël për orë të tëra. Ne patëm një konferencë për shtyp në fund dhe ata thanë: ‘Dukesh shumë i dashur për këtë djalë të vogël. A do të mendonit ta birësoni atë?’ dhe unë thashë se vërtetë do doja shumë”, kujtoi ai në emisionin “Dua Lipa: Në shërbimin tuaj” të iHeartRadio.

John ka thënë se ishte pikërisht historia e djalit në Ukrainë, që e bëri atë dhe partnerin e tij të kishin një fëmijë.

“Për shkak se isha homoseksual, nuk më lejohej gjithsesi. Pasi ndodhi kjo, David tha: Epo, çfarë mendon për të pasur fëmijë? – unë gjithmonë thosha jo, por ky djalë i vogël po më thoshte diçka. Ai po thoshte ‘Eja, mund të bëhesh baba’ dhe pikërisht atëherë vendosëm të kishim fëmijë, për shkak të këtij djali të vogël në Ukrainë”, ka shtuar John.

Ligji ukrainas kërkon që një prind birësues të jetë jo më i vjetër se 45 vjeç, dukshëm më i ri se këngëtari britanik, i cili ishte 62 vjeç në atë kohë – i njëjti ligj gjithashtu kërkon që prindërit të jenë të martuar dhe Ukraina nuk e njeh bashkimin e homoseksualëve si martesë.

Yuriy Pavlenko.

“Elton John nuk do të jetë në gjendje të birësojë një fëmijë ukrainas dhe nëse ai e paraqet këtë kërkesë, ne për fat të keq do ta refuzojmë atë”, tha në atë kohë Ministri i Familjes, Rinisë dhe Sporteve të Ukrainës, Yuriy Pavlenko.

“Ligji është i njëjtë për të gjithë: për një president, për një ministër, për Elton John”, kishte shtuar ai.

John, tani 75 vjeç dhe Furnish, 59 vjeç, kanë dy fëmijë: Elijah 9-vjeçar dhe Zachary 11-vjeçar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore