Auto

Elon Musk shet 5 miliardë dollarë aksione në Tesla pas sondazhit në Twitter


Elon Musk, shefi ekzekutiv i Tesla-s, ka shitur afro pesë miliardë dollarë aksione nga prodhuesi i makinave elektrike.

Shitja e aksioneve të Tesla-s vjen disa ditë pasi ai pyeti 63 milionë ndjekësit e tij në platformën Twitter nëse duhet të shiste 10 për qind të aksioneve të tij në kompani.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se dy ditë pas sondazhit të kryer prej tij, aksionet e kompanisë ranë me rreth 16 për qind, pasi sondazhi doli në favor të shitjes së aksioneve.

Për sa i përket Tesla-s, ajo është kompania më e vlefshme e makinave elektrike në botë, me një vlerësim në bursë prej më shumë se një trilion dollarë.

Paçka kësaj, Musk shiti pothuajse 3.6 milionë aksione në Tesla, me vlerë afro katër miliardë dollarë.

Gjithashtu ka shitur 934 mijë aksione të tjera për rreth 1.1 miliardë dollarë pasi ushtroi opsione për të blerë afro 2.2 milionë aksione. Kjo sipas dosjeve me rregullatorin e tregut të aksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Referuar këtyre dokumenteve, shitja e rreth një të pestës së aksioneve ishte bërë në bazë të një plani tregtimi të paracaktuar të krijuar në shtator, shumë përpara postimeve të Musk në mediat sociale në fundjavë për shitjen e disa prej aksioneve.

Megjithatë, regjistrimet rregullatorë kanë treguar edhe se shitja e pjesës së mbetur të aksioneve nuk ishte planifikuar.

Musk postoi ditën e shtunë një sondazh në Twitter, duke u kërkuar ndjekësve të tij të votojnë nëse ai duhet të shiste një pjesë të aksioneve të tij në Tesla për të përmbushur detyrimet tatimore.

Kështu, ai propozoi të shiste  për qind të aksioneve në kompani,.

“Do t’i përmbahem rezultateve të këtij sondazhi, sido që të shkojë”, ka siguruar ai mes të tjerave.

“BBC” tregon se sondazhi tërhoqi më shumë se 3.5 milionë vota, me gati 58 për qind që votuan në favor të shitjes së aksioneve.

Gjithashtu Musk ka theksuar se ai nuk paguhet me para në dorë nga Tesla. “Kam vetëm aksione, kështu që e vetmja mënyrë që të paguaj taksat është të shes aksione”, ka sqaruar ai.

Lëvizja shënoi shitjen e parë të aksioneve që nga viti 2016, kur ai ushtroi për herë të fundit opsionet e aksioneve. Asokohe, ai shiti edhe disa nga aksionet për të mbuluar një faturë tatimore mbi të ardhurat prej afro 600 milionë dollarë.

Musk është personi më i pasur në botë, me një pasuri personale që vlerësohet të jetë më shumë se 280 miliardë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore