Art&dizajn

Ekspozita “Kosova në Arkivin e Shtetit Shqiptar”


17 Shkurti 2021 shënon ditën kur shteti i Kosovës mbush 13 vjet prej kur është shpallur i pavarur.

Të dielën e 17 Shkurtit 2008, në orën 15:39, në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë.

Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike. Ky proces u bë i zakonshëm në ditët e para pas Pavarësisë, ndërsa deri më tani Kosovën e kanë njohur 117 shtete.

Në kuadër të Kosovës 13 vite shtet, është hapur në Tiranë ekspozita “Kosova në Arkivin e Shtetit Shqiptar”. Kjo është ditë historike për shtetin e dytë shqiptar në Evropë.

Përmes një ekspozite të rrallë dokumentare dhe fotografike, e cila do të qëndrojë hapur deri në 19 shkurt, është përkujtuar ngjarja më e rëndësishme e saj. Kosovën si shtet i pavarur, Drejtoria e Përgjithsme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, zgjodhën ta kujtojnë në Kalanë e Tiranës.

Drejtori i Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, theksoi rëndësinë e një tubimi të tillë, i cili një vit më parë u mbajt në Prishtinë.

“Kjo është data më e rëndësishme e historisë së re të shqiptarëve. Arkivat janë institucionet që ruajnë kujtesën dhe trashëgiminë e çdo kombi. Dhe për fat të mirë edhe arkivat tona janë kujdesur të  ruajnë përmes instrumenteve bashkëkohore. E përpiqen që përmes këtyre ekspozivave, t’i sjellin ato tek shqiptarët”, tha ai.

Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani, u shpreh se dokumentet e kësaj ekspozite tregojnë rëndësinë dhe praninë e Kosovës prej vitit 1912. “Ndjehem mirë që ato ekspozohen në këtë 13-vjetor të Pavarësisë”, u shpreh ai.

Znj. Elsa Saka, Drejtore e Evidencës Qendrore dhe Komunikimit në DPA, tha se: Ne synojmë që kjo ekspozitë të jetë shëtitëse dhe çdo 17 shkurt të çelet në një qytet tjetër të Shqipërisë pas Prishtinës dhe Tiranës.

Klodiana Toptani, administrarore e Kalasë, tha se dita e Pavarësisë së Kosovës ka rëndësi të madhe. “Ndaj edhe e festojmë sot në Kala, ku valëvitet edhe flamuri i shtetit të Kosovës. Materialet që janë paraqitur në ekspozitë janë nga periudha e vitit 1912, në të janë shfaqur edhe dokumente të pjesëmarrësve nga Kuvendi i Vlorës, të dhëna të personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe të dhëna për Komitetin Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e mijëra dokumenteve që ruhen në dy arkivat shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë”, tha ajo.

E pyetur për Albanian Post, administratorja e Kalasë së Tiranës, Klodiana Toptani, u shpreh se është një ekspozitë me vlera shumë të mëdha, sepse përkujtohet një nga ditët më të rëndësishme të historisë së Kosovës.

“Sot kjo ekspozitë vjen nga viti 1912 që eshtë një ekspozitë që prek vendimet më të rëndësishme të këtyre viteve. Kjo bëhet jo vetëm për të kujtuar një ditë të rëndësishme, por për t’u dhënë dhe brezave të rinj mesazh që duhet punuar për të ngritur kështjellën e madhe, për të mbajtur lart emrin e të madhes Kosovë”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore