Lajme

Ekskluzive: Koha ka përfunduar për Kurtin dhe Vuçiç’in – nënshkrim ose konflikt


Foto nga Albanian Post

E hënë, 27 shkurt, mund të jetë dita historike që përcakton rrjedhën e zhvillime ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë, por jo vetëm.

Janë Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç personat që u jepet shansi ta përkthejnë në realitet projeksionin evropiano-amerikan dhe tashmë u është bërë e qartë se “time is up (ka përfunduar koha)”, ka thënë ekskluzivisht për Albanian Post burimi diplomatik që me informacionet qysh nga 18 shtatori i publikimit të parë të “kornizës së re”, ka dëshmuar që është në qendër të zhvillimeve dhe që palët tashmë e kanë të qartë që parashikimet e tij duhet marr seriozisht dhe me saktësinë e vendimmarrësit.

“Palët duhet që të deklarohen përfundimisht rreth marrëveshjes themelore”, thotë burimi.

Është bërë e qartë gjithashtu që në këtë fazë propozimi evropian nuk është më i negociueshëm, siç e ka cekur edhe ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Pra, palët kanë vetëm dy mundësi, ta pranojnë ose ta refuzojnë.

Pranimi nënkupton vjeljen e të mirave që sjell marrëveshja, ndërkaq refuzimi nënkupton penalizime si për palët, pra Serbia dhe Kosova, por edhe sanksione personale ndaj Aleksandër Vuçiç-it dhe Albin Kurtit.

Çka me Asociacionin?

“Asociacioni është obligim që rrjedh nga marrëveshja e vitit 2013”, është qëndrimi i prerë i ndërkombëtarëve.

Zbatimi i tërësishëm i të gjitha marrëveshjeve të kaluara, përfshirë edhe Asociacionin, riafirmohet si pikë e veçantë e marrëveshjes.

“Nuk ka asnjë mënyrë që ndonjë nga palët të mund të pretendojë që propozimi evropian e çliron Kosovën nga ky obligim. Propozimi Evropian dhe obligimet nga marrëveshjet e mëhershme janë dy pista paralele që do të trajtohen njëkohshëm. Rruga e palëve drejt BE-së do të varet kryekëput nga implementimi strikt i të gjitha obligimeve”, thotë diplomati i kyçur direkt në proces për Albanian Post.

Marrja e obligimeve dhe implementimi i tyre nuk do u lihet palëve në vullnetin e tyre. Do ketë mekanizma nga bashkësia ndërkombëtare për t’u siguruar që edhe Kosova do ta përmbushë obligimin për Asociacionin, por edhe Serbia pjesën e vet të marrëveshjes.

“Propozimi Evropian e nxjerr Kosovën nga stagnimi ndërkombëtar ku është aktualisht. Gjithsesi, përkrahja e partnerëve për anëtarësim të shpejtë në organizata si Këshilli i Evropës, Interpol apo UNESCO do të varet kryekëput nga zbatimi i obligimeve ndërkombëtarë që ka Kosova”, thotë burimi.

“Pastaj, pa përmbushjen e obligimeve të veta, Kosova nuk mund të pretendojë as thithjen e asistencës financiare dhe ekonomike që të dyja palët do të përfitojnë nga pranimi i marrëveshjes. Nëse Kosova nuk tregohet kooperative fare lehtë mund të jemi dëshmitarë të një skenari ku Serbia thith miliona e miliarda ndërsa Kosova vetëm thërrmija”, tregon diplomati duke shtuar se kjo tashmë i është bërë e qartë edhe Kurtit.

Por, e njëjta vlen edhe për Serbinë, nëse vazhdon të paraqitet e luhatur, dëshiron të mbajë akoma pozicion balancues, apo përdorë leva për obstruksione të ndryshme.

“Me fjalë të tjera, bashkësia ndërkombëtare ka mjaft mekanizma me anë të së cilëve mund të detyrojë palët që të përmbushin obligimet e veta. Këtë gjë partnerët tanë në Serbi e dinë shumë mirë, por qëllimshëm deri tani kanë zgjedhur taktika bllokuese ose spostuese”.

Çka nëse nuk nënshkruhet marrëveshje?

“Është rrezik një skenar i tillë”, thotë burimi.

“Muajve të fundit ka pasur disa raste kur përplasja e armatosur në veri të Kosovës është evituar për një fije floku. Do të veçojmë rastet rreth barrikadave në korrik dhe nëntor si dhe rastin e fillim dhjetorit kur ka ekzistuar mundësia e përplasjes së armatosur brenda qytetit të Mitrovicës së Veriut. Këto raste të rrezikshme, por edhe ai i shtatorit të vitit 2021, kanë treguar që Kurti dhe Vuçiç kanë një mungesë ndjesie (empathy) për pasojat që mund të sjellin veprimet e tyre”.

Prandaj, përshtypja e ndërkombëtarëve aktualisht është që “të dy liderët ndonjëherë më të lehtë e kanë të shohin veten në rolin e vajtuesit për jetët e humbura të martirëve të tyre, duke hedhur gishtin te pala tjetër, sesa që të përmbushin detyrën e tyre prej lideri dhe të angazhohen prej së vërteti për paqe dhe zgjidhje të qëndrueshme”.

Për Kosovën, mos nënshkrimi i marrëveshjes nuk nënkupton vetëm pasojë të bllokimit të proceseve, apo ndalje të ndihmave e izolim ndërkombëtar.

Vihet në pyetje gjithashtu edhe funksionaliteti i shtetit nga brenda, sepse, siç ceket nga burimi i Albanian Post, “është koha të thuhet hapur dhe qartë: nëse nuk ka marrëveshje, do të dështojë procesi i zgjedhjeve në katër komunat veriore, pra nuk do të ketë ri-integrim të serbëve lokalë”.

“Mungesa e zgjedhjeve do të detyrojë Prishtinën që të vendos masa të jashtëzakonshme administrative në këto komuna dhe ta shtojë prezencën e policisë speciale në veri, gjë që do të shkaktojë revoltë të serbëve lokalë. Me fjalë të tjera, kriza e ardhshme do të jetë e pamenaxhueshme dhe do të përfundojë në përleshje të përgjakshme që do të përfshijë edhe Serbinë”.

Për këtë skenar hipotetik janë në dijeni edhe liderët në Kosovë dhe Serbi.

“Pra, nëse ata e refuzojnë marrëveshjen atëherë është e qartë që ata preferojnë konfliktin dhe përplasjen që kjo automatikisht sjellë me trupat e NATO-së dhe ato të BE-së”.

Ndërkombëtarët, duke pasur parasysh pozitat delikate të liderëve, brengat dhe shqetësimet e tyre, kanë punuar një propozim që provon të mos nxjerr të humbur asnjërin dhe kërkon një situatë “win-win”.

“Ne kemi ofruar një propozim minimalisht ambicioz, një propozim që respekton vijat e kuqe të palëve, një propozim me perspektivë konkrete të përafrimit me Unionin Evropian, një propozim që ka përkrahjen e 27 shteteve anëtare të BE-së dhe të 30 shteteve të NATO-së, përfshirë edhe shtetet që nuk kanë e njohur ende Kosovën”, sqaron burimi i Albanian Post.

Prandaj, “nëse përgjigja e palëve ndaj këtij propozimi nuk është përqafimi i tij, por refuzimi që kësaj here çon në një konflikt të ri atëherë natyrisht që kjo do të ketë pasoja serioze”.

Kurtit dhe Vuçiç-it gjithashtu i është bërë e qartë se marrëveshja arrihet prej tyre, por shkon shumë përtej dhe s’ka të bëjë veç me rregullim raportesh Kosovë – Serbi.

“Në kohën kur Evropa po unifikohet në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë, hapja e një konflikti të ri në Ballkan do të konsiderohet si akt armiqësor ndaj Evropës dhe komunitetit perëndimor”.

Fjali të ngjashme kanë mundur të lexohen edhe në deklarimet e fundit të Lajçakut, si në intervistën e tij në Radio Televizionin e Kosovës ashtu edhe në media të tjera.

Amerikanët dhe evropianët presin nga palët ta kuptojnë saktë momentin në të cilin po u ofrohet kjo mundësi e zhbllokimit dhe lëvizjes përpara.

Gjithashtu, kërkohet prej tyre ta kuptojnë situatën unike që mundëson një marrëveshje.

Aktualisht ka stabilitet politik në të gjithë aktorët e përfshirë në proces. Në Kosovë nuk ka zgjedhje të parapara dhe ka një qeveri me mbështetje të madhe, e njëjta situatë edhe në Serbi dhe gjithashtu në këtë moment zgjedhje nuk ka as në shtete si Franca e Gjermania që janë katalizatorët kryesore të procesit të ri që rezultoi më propozim franko-gjerman.

Mosnjohja e këtyre rrethanave, përbën një huqje të madhe nga cilido që nuk e kupton nevojën e nënshkrimit dhe ecjes tutje me implementimin e planit të ofruar.

Kushdo që përdorë taktika bllokuese në këtë moment final do të shpallet fajtori i dështimit të procesit në unison nga komuniteti ndërkombëtar.

Perëndimorët kanë bërë punën e tyre, me 27 shkurt pritet ta bëjnë edhe Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç.

5 muaj raportim i saktë deri në detaje nga Albanian Post

Dita e takimit mes Kurtit e Vuçiç për nënshkrimin eventual të marrëveshjes është 27 shkurt.

Kjo datë është vetëm tri ditë më vonë nga data që kishte lajmëruar Albanian Post katër muaj më parë.

Në tekstin ekskluziv të AP-së me 20 tetor ishin publikuar disa pika nga “skenari i prezantuar për para-marrëveshjen Kosovë-Serbi”.

Aty, pos tjerash, thuhej se duhet të arrihet një marrëveshje fillestare deri në fund të muajt shkurt të vitit 2023, mundësisht 24 shkurti, meqë korrespondonte me 1 vjetorin e luftës në Ukrainë.

Serbia në këtë fazë s’ka nevojë ta ndryshojë Kushtetutën e saj. Njëjtë, Kosova duhet ta themelojë Asociacionin, por pa e ndryshuar Kushtetutën. Asociacioni nuk do të jetë një OJQ, megjithatë, për momentin, nuk do të themelojë nivel të ri të pushtetit”, tregonte teksti i 20 tetorit.

Plani Franko-gjerman i 18 shtatorit, atëherë kur e mohonte edhe BE-ja

Me 18 shtator Albanian Post pati publikuar një artikull me titullin “Ekskluzive, ‘korniza e re’ në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive”.

Aty flitej – kryesisht në makro perspektivë – se cili është plani i Bashkimit Evropian për marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë; se si kishte tashmë një dinamik të re për “kornizën e re” nga Franca dhe Gjermania dhe cila supozohet se është zgjidhja e cilat janë pasojat në mospranimin e kësaj oferte të re.

Muaj më vonë gjithçka që është shkuar në atë artikull ku prezantohet një makro-planifikim ka rezultuar krejtësisht e saktë, edhe pse në fillim do të refuzohej kategorikisht se ekziston një plan/iniciativë e re franko-gjerman. Edhe vetë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, njëherë kishte thënë se s’ka tjetër iniciativë veç asaj aktuales që është: takime të kohëpaskohshme në Bruksel.

Edhe një zëdhënës i qeverisë gjermane, sipas një media në Kosovë, pati deklaruar se Gjermania nuk është e përfshirë në ndonjë nismë te re.

Por, shenjat e para se bëhet fjalë për një iniciativë që shkon përtej rrugëtimeve Prishtinë-Bruksel e Bruksel-Beograd i dha i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin.

Ai gjatë një adresimi të tij përmes video-linkut në edicionin e parë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë (KPDS) që u mbajt në Kosovë  me 21 shtator 2022, i pati sugjeruar shoqërisë civile që të mos i mbys propozimet e reja sapo të rrjedhin në publik ato.

Deklarimi i tërthortë i Sarrazin ishte komenti i parë i një zyrtari që i pyetur direkt nuk kishte mohuar ekzistencën e kornizës të publikuar në Albanian Post.

Pas tij, ngadalë, do të kishte pranim të gjerësishëm se ekziston një iniciativë e re si nga politikanë ndërkombëtarë si nga ata vendorë, deri në momentin kur Bashkimi Evropian më nuk e mohoi, por thanë se janë vetë autorët e atij propozimi.

Albanian Post nga publikimi i parë me 18 shtator e deri me me këtë 24 shkurt ka raportuar në përpikëri duke i paraprirë çdo hapi që është ndërmarrë nga ndërkombëtarët në drejtim të planit franko-gjerman.

AP kishte raportuar edhe për sanksionet që ndërkombëtarët kishin paraparë për dy shtetet, Kosovën dhe Serbinë, nëse refuzojnë të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi urgjent dhe madje u njoftua edhe për afatin final se kur duhet të arrihet një pajtim fillestar për marrëveshjen.

Vizita e fundit e 5-shes diplomatike në Kosovë dhe Serbi ka vërtetuar edhe çështjen e sanksioneve që gojarisht ua kanë thënë ndërkombëtarët, si konfirmimi i fundit dhe i krejtësishëm i asaj që ka raportuar AP.

Çfarë thotë publikimi i 18 shtatorit dhe seria e shkrimeve në raport me propozimin franko-gjerman? Çfarë ka ndodhur deri më tani…

AP raportoi se ka një plan të paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, që është përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz.

Më vonë jo vetëm që u konfirmua, por prej atëherë palët takohen dhe vizitohen nga ndërkombëtarët për të diskutuar vetëm për këtë plan dhe jo për diçka tjetër.

Në publikimin e Albanian Post thuhej se “Marrëveshja e dytë për normalizimin e raporteve nënkupton (pranim faktik të pavarësisë së Kosovës kundrejt një akti formal të njohjes) dhe duhet të arrihet në vitin 2023”.

Tashmë ka deklarata publike madje edhe platformë të shkruar nga përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, se 2023-ta duhet të jetë viti i marrëveshjes dhe për këtë po bëjnë bisedimet.

Albanian Post më pas kishte publikuar edhe një shkrim me titull “Ekskluzive: Kjo është rruga e para-marrëveshjes Kosovë – Serbi, gjithçka duhet të kryhet para datës 24 shkurt ose pason ‘shkopi i rëndë’, ku, pos tjerash, tregohej edhe se ka një “skenar që është prezantuar për para-marrëveshjen Kosovë-Serbi” dhe se “pajtimi i parë duhet të arrihet më së largu deri me 24 shkurt”.

Pas një kohë, kryeministri i Kosovës konfirmoi para gazetarëve se vetë Borrell u ka thënë që marrëveshja duhet të arrihet “në fillim të marsit, ose në fund të shkurtit”. Tash, siç dihet dhe është zyrtare, takimi është me 27 shkurt.

Albanian Post kishte raportuar se në pikën e katërt të makro-perspektivës së kornizës së re saktësohet se “Tani për tani, në vend të njohjes, Serbia duhet ta pranojë realitetin e Kosovës si një realitet i veçantë politik dhe legal”.

Këtë pikë, gjatë konferencës në Beograd, e ka pranuar publikisht Presidenti Vuçiç dhe pati deklaruar: “ata insistojnë që atje (pra në Kosovë) ekziston një realitet të cilin ne duhet ta pranojmë si të tillë”.

AP raportonte më pas se “Në terma faktik, Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë tërësisht raportet, duke mundësuar lëvizjen bilaterale të njerëzve dhe mallrave”, duke iu referuar pikë tre të kornizës së re.

Aktualisht, drafti i fundit i publikuar që synon të kthehet në marrëveshje, thotë saktësisht këtë duke specifikuar se kjo nënkupton njohje të dokumenteve të udhëtimit.

Tjetër pikë e tekstit të 18 shtatorit ishte se “Duke e pranuar Kosovën si një realitet i ndarë politik dhe legal, Serbia do të marrë një pozicion pasiv dhe nuk do ta kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

Të njëjtën përmban edhe drafti i futit i publikuar i propozimit franko-gjerman.

Pas publikimit për herë të parë të kornizës së re, Albanian Pot kishte shpjeguar se ajo mbështet në modelin e dy-Gjermanive dhe më pas kishte sqaruar se çfarë thotë ky model.

Në tekstin me titull Grundlagenvertrag” apo Plani Gjermano-Gjerman, lexojeni si është arritur dhe si duket Kosova me këtë propozim”, AP shpjegonte nen për nën se çfarë përmban kjo marrëveshje.

Teksti sqaronte çfarë është modeli i dy Gjermanive, cili ishte konteksti që e solli në jetë, çfarë përmbante, çka prodhoi dhe çfarë mund të përfitohet tani me këtë model.

Ndërsa ndalej te neni 2 i marrëveshjes si një nga më të rëndësishmit.

Më vonë, në një intervistë për media, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, kishte komentuar për herë të parë dokumentin që kishin pranuar nga ndërkombëtarët si propozim.

Konjufca do thoshte se neni 2 i marrëveshjes është më i rëndësishmi.

Derisa gjithçka rreth propozimit franko-gjerman mbahej krejtësisht jashtë publikut dhe askush s’fliste për të, përfshirë Kurtin që pati deklaruar se nuk bën të flas se zbulon strategjinë, AP në një tjetër shkrim të datës 24 tetor publikoi ekskluzivisht se tashmë s’ishte vetëm Kurti që iu dha për lexim dokumenti.

Propozimi franko-gjerman ‘është ngurtësuar’ – atë e kanë Kurti, Osmani e Konjufca në Kosovë dhe Vuçiç në Serbi”, thoshte titulli i tekstit të 24 tetorit.

Me 8 nëntor, Konjufca do të dilte për herë të parë të fliste për dokumentin duke pranuar se e ka parë edhe ai – më pas foli dhe presidentja Vjosa Osmani.

Por, para kësaj date, me 31 tetor, Albanian Post kishte publikuar një artikull me titull “Ekskluzive në Albanian Post: Këto janë pikat, kjo është rruga, këtu nënshkruhet marrëveshja”.

Aty sqarohet në 4 pika të përmbledhura saktësisht se çfarë do të përmbajnë nenet e marrëveshjes që më vonë do kuptohej se janë rreth 10.

Kur AP me 12 nëntor publikoi dokumentin e plotë të planit franko-gjerman nën titullin “Ekskluzive: Dokumenti i propozimit franko gjerman – Përmes Nenit 1, 2 dhe 3 Serbia pranon ekzistencën e Kosovës, Neni 9 detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin”, ai përmbante saktësisht atë çfarë AP kishte shkruar me 31 tetor.

Por, në këtë tekst të 12 nëntorit Albanian Post sqaronte se “nëse Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshjen e bazuar në propozimin franko-gjerman, atëherë Serbia do të pajtohet që ta respektojë ekzistencën e Kosovës dhe ta trajtojë si një realitet të ndarë juridik, derisa Kosova duhet të pranojë se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

Është zbatimi i Marrëveshjes për Asociacionin kërkesa më e shpeshtë që tani po i bëhet Kosovës, sidomos nga amerikanët.

AP me 15 nëntor kishte publikuar ekskluzivisht edhe një propozim të përpiluar nga ekspertë ndërkombëtarë se si duhet të themelohet Asociacioni në mënyrë që të mos bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Teksti me titullin “Dokument – Ekskluzive: Ekspertët ndërkombëtarë kanë gjetur formulën për themelimin e Asociacionit, ia jep Qeverisë arsyetimin dhe nuk bie ndesh me Kushtetutën”, tregon megjithatë se ky Asociacion s’mund të jetë si ai aktuali i Komunave të Kosovës dhe pos tjerash s’mund të jetë as një Organizatë Jo Qeveritare, çfare e cilëson zakonisht presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Një tjetër shkrim që prekte një çështje shumë specifike, i publikuar me 1 nëntor 2022 sqaronte se një nga mospajtimet dhe paqartësitë më të mëdha rreth marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë ishte rregullimi i marrëdhënieve zyrtare mes vete, pasi dy shtet formalisht nuk do njihen.

Marrëdhëniet diplomatike, një nga pikat kritike të ‘marrëveshjes pa njohje eksplicite’ – disa modele si zgjidhje”, i publikuar nga AP tregonte një nga çështjet kritike – edhe nëse Kosova e Serbia arrijnë marrëveshje të ndërsjellë për normalizim që e parasheh njohjen implicite (të vetëkuptueshme), por jo dhe atë zyrtare dhe të menjëhershme – do të ishte edhe çështja e përfaqësive diplomatike.

Meqë s’do ketë njohje formale të ndërsjellë, s’do mund të ketë as ambasada. Në të njëjtën kohë, niveli aktual i përfaqësive diplomatike përmes Zyrave Ndërlidhëse është i pamjaftueshëm.

Për këtë arsye, sqaron teksti, po merrej prapë si shembull modeli gjermano-gjerman.

AP raportonte se problemin e përfaqësive diplomatike dy-Gjermanitë e kishin zgjidhur me nenin tetë.

Në draftin e fundit të publikuar të propozimit franko-gjerman, është pikërisht neni 8 që rregullon marrëdhëniet diplomatike.

Siç përcakton drafti: “Neni 8, palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selinë e qeverive përkatëse”.

Por, për të konfirmuar se ishin bërë bisedime të zgjatuar shtesë, këtij neni i është shtuar edhe një pasus, ku shkruhet se “çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas”, pra do ketë një ankes vetëm për çështjen e përfaqësive.

Njëjtë si këto krahasime, në asnjë nga tekstet e AP-së, lexuar retrokativisht nuk gjendet asnjë informacion që nuk ka rezultuar i saktë në tërësi.

Në këto publikime, janë paraparë edhe hapa të tjerë, të cilët do të mund të ndërmerren nëse me 27 shkurt nuk arrihet marrëveshja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore