Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për Albanian Post se “non paper” i publikuar të hënën që flet për përmbylljen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë nuk shpreh pozicionin e Bashkimit Evropian.
“Në këtë rast të veçantë, dokumenti i pretenduar nuk shpreh pozicionet e BE-së dhe nuk u mor nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian as nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështjes të Sigurisë”, tha shkurt Stano.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës në një përgjigje me shkrim për Albanian Post thonë se janë në një linjë me Gjermaninë edhe Francën sa i përket publikimit të një “non paper” të ri në media të hënën që flet për përmbylljen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë dokument shkruhet se në Kosovë do të krijohej një “distrikt autonom i Kosovës së veriut” sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.
Kisha Ortodokse Serbe do të këtë “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të Marrëveshjes ligjërisht obliguese, obligohet se “nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com