Lajme

Marrëdhëniet diplomatike, një nga pikat kritike të “marrëveshjes pa njohje eksplicite” – disa modele si zgjidhje


Foto nga Albanian Post: Kur dy-Gjermanitë kishin arritur marrëveshje për njohje de facto dhe vendosje të misioneve të përhershme diplomatike në shtetet respektive.

Kur Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane arritën marrëveshje për njohje të ndërsjellë, por pa e formalizuar atë de jure, dy shtetet do të duhej të bënin edhe një rregullim unik të marrëdhënieve diplomatike.

Pasi njohje formale s’kishte, s’do ishte e mundur të vendoseshin as Ambasadat respektive.

Për të gjetur një model funksionimi nuk do t’u duhej të shkonin larg – as në kohë e as në territor.

Në vitin 1961 në Vjenë, kryeqytetin e Austrisë, ishte mbajtur Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

E arritur nën ombrellën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kjo Konventë do shndërrohej në traktatin më të rëndësishëm mes shteteve për rregullimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe do të pranohej gjerësisht.

Nga viti 1964 kur edhe hyri në fuqi, shtetet do t’i referoheshin kësaj konvente.

Në të njëjtën u thirrën edhe dy-Gjermanitë, sepse nga 53 nenet, i dyti tregonte se përveç ambasadave, shtetet mund të vendosin edhe “misione diplomatike të përhershme” dhe kjo do bëhej “me pëlqimin e dyanshëm”.

Të tilla i vendosën dy-Gjermanitë.

Meqë propozimi franko-gjerman – që u është prezantuar si model Kosovës dhe Serbisë – ka referencë në shumë drejtime zgjidhjen gjermano-gjermane, një opsion i ngjashëm po diskutohet edhe për dy shtetet ballkanike në raport me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike – por s’është i vetmi.

Nëse veç arrihet pajtim dhe propozimi pranohet e nënshkruhet nga të dyja shtetet, dy palët do të duhej të t’u bënin një shkallëzim së larti raporteve të tyre ndër-shtetërore.

Si është aktualisht?

Prezenca aktuale diplomatike në dy kryeqytetet është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit të arritur në vitin 2013.

Kosova dhe Serbia me 31 maj 2013, u pajtuan për Shkëmbimin e Zyrtarëve Ndërlidhës. Ideja ishte që të ndërmjetësohet komunikimi dhe të trajtoheshin çështjet e problemet ditore.

Me insistimin e Serbisë, zyrat ndërlidhëse do të vendoseshin brenda lokacioneve të zyrave të Bashkimit Evropian, por, i rëndësishëm ishte fakti që kjo marrëveshje përbënte herën e parë që dy shtetet po pranonin të shkëmbenin përfaqësues zyrtarë.

Pas pajtimit, ishin caktuar edhe dy zyrtarët e parë që do udhëhiqnin Zyrat Ndërlidhëse. Valdet Sadiku do shkonte në Beograd. Dejan Paviçeviç do vinte në Prishtinë.

Me 14 nëntor të vitit 2014 u vendosën edhe disa rregulla specifike të operimit.

Tash e tutje, për çdo ndërveprim, palët do u drejtoheshin zyrtarëve të tyre përkatës.

Por, funksionalitetin më të madh këto zyra e gjetën në vizitat zyrtare.

Përmes tyre, zyrtarët e Kosovës kur donin të udhëtonin për në Serbi dhe ata serbë kur donin ta vizitonin Kosovën, njoftonin 72 orë më herët.

Po të kishte probleme, vërejtjet do jepeshin brenda 48 orësh. Kjo për nivelin më të lartë. Për nivelin e dytë, do mjaftonin njoftimet 24 orë më herët.

Zyrat Nderlidhese brenda objekteve te perfaqesive te BE-se ne Kosove dhe Serbi

Përveç këtij aspekti teknik, marrëveshja ishte një hap para në normalizimin e raporteve me idenë e një të ardhme të përbashkët në BE, që patjetër kërkon marrëdhënie të mira ndërfqinjësore.

Më vonë to kishte pajtim fillestar edhe për rritje të personelit, por me pengesa nga Serbia, u bë e pamundur, pasi zyrat brenda delegacioneve të BE-së ofrojnë hapësirë të limituar.

Arsyeje e mos lejimit të zhvendosjes në objekte të veçanta, sipas Serbisë, është premisa se kjo do të nënkuptonte njëfarë forme të njohjes.

Prandaj, asnjëherë s’u bë i mundur kalimi në objekte të veçanta.

Zyrat po ashtu s’arritën asnjëherë që përmes zyrtarëve ndërlidhës të krijonin efekt konkret në normalizimin e komunikimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Rolet janë konturuar në teknikalitete dhe bashkëpunimi mes dy shteteve s’u intensifikua dot si pasojë e veprimtarisë së këtyre zyrave.

Probleme të tjera do lindnin me kohën, kur dy palët s’u pajtuan as për vulat zyrtare të Zyrave Ndërlidhëse, prandaj akoma operohet pa to.

Kosova kishte insistuar se stampa e Zyrës duhet të jetë e njëjtë me ato të misioneve diplomatike që ka nëpër botë, me shënimin Republika e Kosovës dhe anash me tekstin që shkruan: “Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi”.

Serbia prapë s’pranoi.

Kërkesat e tyre ishte që vulat e zyrave të mos kenë simbole fare dhe tekstet anësore të jenë: “Zyra Ndërlidhëse në Prishtinë” dhe “Zyra Ndërlidhëse në Beograd”.

Një nga pikat thelbësore të “marrëveshjes pa njohje eksplicite”, disa modele si zgjidhje

Një nga çështjet kritike – edhe nëse Kosova e Serbia arrijnë marrëveshje të ndërsjellë për normalizim që e parasheh njohjen implicite (të vetëkuptueshme), por jo dhe atë zyrtare dhe të menjëhershme – do të jetë edhe çështja e përfaqësive diplomatike.

Meqë s’do ketë njohje formale të ndërsjellë, s’do mund të ketë as ambasada. Në të njëjtën kohë, niveli aktual i përfaqësive diplomatike përmes Zyrave Ndërlidhëse është i pamjaftueshëm.

Prapë shembulli mund të gjendet tek modeli gjermano-gjerman.

Në ato kohë, me nenin tetë të Marrëveshjes Themelore, apo Marrëveshjes Bazë, ishte caktuar edhe përfaqësimi diplomatik i ndërsjellë.

Dy shtetet, Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane, kishin vendosur Misione të Përhershme.

Nga viti 1973 deri në vitin 1989 këto Misione të Përhershme funksionin si de facto ambasada.

Udhëheqësit e këtyre misioneve praktikisht ishin ambasadorë, prandaj edhe shtetet pritëse u referoheshin atyre si ambasadorë.

Ata, njëjtë si në gjithë botën, duhej të akreditoheshin të shefi i shtetit.

Duke vënë stemën: Viti 1990, 2 tetor, Përfaqësuesi i përhershëm i Republikës Federale të Gjermanisë, Franz Bertele, duke vënë stemën në Republikën Demokratike Gjermane.

Përfaqësuesit e Gjermanisë Perëndimore akreditoheshin nga Shefi i Këshillit Shtetëror, derisa ata të Gjermanisë Lindore nga Presidenti i Republikës.

Kur fillonin misioni diplomatik, përfaqësuesit respektivë takoheshin zyrtarisht, njëjtë si ambasadorët me udhëheqësit e qeverive të ndërsjella.

Maqedonia dhe Greqia

Një tjetër model që po shqyrtohet është një shembull shumë më i vonë në historinë e marrëdhënieve mes shteteve.

Që nga viti 1991 kur Republika e Maqedonisë ishte shkëputur nga Jugosllavia, Greqia kishte probleme me emrin këtij shteti.

Meqë dy vendet gëzonin raporte të mira tregtare, por problemi ishte te historia dhe gjuha, ishin pajtuar fillimisht që Republikës së Maqedonisë t’i referoheshin si Ish-republika Jugosllave e Maqedonisë.

Ky problem, pamundësonte edhe marrëdhënie diplomatike normale, prandaj me 13 shtator të vitit 1995, ishte arritur të nënshkruhet Akordi i Përkohshëm, ku Greqia pajtohej ta njihte Maqedoninë nën referencën e saj të përkohshme si FYROM.

Në këtë Akord të Përkohshëm do rregulloheshin edhe përfaqësitë diplomatike.

Neni i parë i marrëveshjes sqaronte se pos që dy palët e njohin pavarësinë dhe sovranitetin e njëra tjetrës do vendosnin edhe prezencë diplomatike.

Qysh në fillim sqarohej se edhe ky nivel i raporteve diplomatike do të ishte i përkohshëm me synim kalimin në nivel ambasadash.

Greqia do të vendos një Zyrë Ndërlidhëse në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë dhe Maqedonia do vendoset një zyrë ndërlidhëse ne Athinë, kryeqytetin e Greqisë.

Greqia gjithashtu do funksionalizonte një Zyrë Konsullore për Çështje Ekonomike dhe të Biznesit në Bitola, kurse Maqedonia një Zyrë të nivelit të njëjtë në Selanik.

Përfundimisht, kur u arrit marrëveshja për emrin dhe Greqia e pranoi Maqedoninë e Veriut, u shkëmbyen notat diplomatike dhe Zyrat Ndërlidhëse u ngritën në Ambasada kurse Zyrat Konsullore në Konsullata të Përgjithshme, me Marrëveshjen e Prespës.

Gjykata Nderkombetare e Drejtesise: Kur ish-republika jugosllave e Maqedonise kishte hedhur para drejtesise Greqine, me pretendimin se ka shkelur Akordin e Perkoshem

Zyrat Ndërlidhëse Zagreb – Beograd

Ballkani Perëndimor njeh një tjetër model të një forme të rregullimit bilateral përmes Zyrave të tilla ndërlidhëse.

Ishte koha e luftës dhe konfliktit në mes të Kroacisë dhe Serbisë.

Gjatë konfliktit dy vendet kishin një rregullim të tillë nëpërmjet Zyrave Ndërlidhëse.

Për një kohë, me atë zyrë në Beograd udhëhiqte Mate Graniç, më pas edhe ministër i Punëve të Jashtme të Kroacisë dhe aktualisht këshilltar special i kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore