Lajme

I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Manuel Sarrazin flet për “kornizën e re”: Edhe propozimet e mira, nganjëherë i mbysni sapo të rrjedhin në publik


Manuel Sarrazin

I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka folur për “kornizën e re” të dialogut të publikuar nga Albanian Post.

Sarrazin, me tone sugjerues e kritike, gjatë adresimit të tij përmes video linkut në edicionin e parë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë (KPDS) që po mbahet në Kosovë, i ka sugjeruar shoqërisë civile që të mos i mbysin propozimet e reja sapo të rrjedhin në publik ato.

“Sa i përket shoqërisë civile, kam një përshtypje se nganjëherë në rajonin tuaj ka një propozim shumë të mirë, që secili do ta pëlqente, që do sillte zhvillim, dashuri e paqe për të gjithë, por mbytet sapo të ketë një rrjedhje që tregon se ky është propozimi i ri dhe më pas, natyrisht prapë fillojnë komentet (scoops)”, ka deklaruar Sarrazin.

“Prandaj mendoj se roli i shoqërisë civile është bukur krucial në njërën anë për ta përgatitur shoqërinë dhe politikanët që t’i adresojnë çështjet, që të flasin për ide dhe modele, të hapen për pyetje të vështira që do vijnë pashmangshëm në këtë rrugëtim”.

Gjermani po fliste për opinionin e krijuar nga një pjesë e komentatorëve politik në Kosovë dhe gazetarëve që provuan ta demantojnë publikimin e AP-së, duke kërkuar përgjigje zyrtare nga qeveritë evropiane për një dokument i cili nuk ishte zyrtar dhe publikohej në formë të një draft-propozimi për makro-perspektivën e dialogut Kosovë – Serbi.

Sarrazin foli edhe për mungesën e transparencës në proces dhe nevojën që ajo të rritet dhe qytetarët e të dyja vendeve ta kenë më të qartë se çfarë po ndodhë në Bruksel.

“…dhe në anën tjetër gjithashtu që të krijohet një momentum i transparencës, aq sa është e mundur, në këtë proces kështu që njerëzit në Serbi dhe në Kosovë ta ndjejnë se politikat, mendjet e mëdha të diplomacisë, dëshirojnë që t’i kenë ata në bord (me vete) për rrugën përpara drejt dialogut”, deklaroi diplomati gjerman.

“Prandaj”, ritheksoj Sarrazin, “mendoj se nuk duhet ta nënvlerësojmë rolin e shoqërisë civile dhe gjithashtu, rëndësinë e opinionit publik kritik që udhëhiqet nga interesa pozitive në qëllimin evropian për rajonin dhe të mos bëhen aktorë me qëllime të tjera që kanë interesin e palëve të treta që po mundohen të bëjnë të kundërtën në rajon”.

Siç shtoi Sarrazin, “shumë njerëz këta muajt e fundit më kanë thënë se dialogu është pika qendrore për të lëvizur përpara, të luftohet kundër Rusisë dhe influencuesve të tjerë në rajon”.

Dokumenti i publikuar nga Albanian Post

Të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post publikoi dokumentin katër faqesh i cili paraqiste planin në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e ka siguruar Albanian Post.

Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

“Korniza e re” të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument “Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin”.

Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it. Këtë kornizë, publikisht, e ka pranuar vetëm Presidenti serb Vuçiç pas vizitës së dy këshilltarëve në Beograd.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore