Shqipëria

Ekrane kombëtare dezinformojnë sepse duan favore të paligjshme, thotë Rama


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka hedhur akuza në median sociale “Twitter” ndaj disa televizioneve për dezinformim pa i specifikuar.

Këta të fundit, sipas kreut të qeverisë e kryejnë këtë mision pasi duan “favore të paligjshme”.

“‘700 mijë shqiptarë kanë ikur 12 vitet e fundit’,’7 punonjës në ditë ikin nga policia’,’Tre vite pas tërmetit s’kanë shtëpi’. Këta janë tituj lajmesh të rreme në ekrane private kombëtare që kanë një mision: Dizinformim e nxitje kundër qeverisë! Arsyeja? Duan favore të paligjshme!”.

Kështu shkruan fillimisht kryeministri shqiptar në reagimin e tij.

Opozita, sipas tij, të cilës i referohet si “Aleanca e Rublave” është përditë e më e qartë, çdo ditë e më e tërbuar, ditë pas dite më e dëshpëruar.

Kjo, pasi një zëdhënës i saj, ngrënës i paepur i turpit me bukë apo i bukës me turp: S’kanë faj ata që shpifin, po ka faj kryeministri që s’bën transparencë për çdo shpifje, shtoi Rama në status.

Më herët, përmes një postimi sërish të kriptuar në Twitter, kryeministri do të ngjallte dyshimin se persona me pushtet mediatik dhe në rrafshin e biznesit, mund të ndjekin fatin e Rezart Taçit.

Për ish-biznesmenin shqiptar, Prokuroria e Përgjithshme SPAK mbylli hetimet dhe e dërgoi në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Pastrues parash dhe evazorë të mëdhenj fiskalë janë denoncuar prej kohësh në prokurorinë e Tiranës nga administrata tatimore!”, e nisi kreu i Qeverisë postimin e tij, i cili duket se i referohet rastit Taçi.

Ky i fundit, përtej rrafshit të biznesit ku ka operuar më parë, ka qenë edhe sipërmarrës mediatik.

Mirëpo, Rama, duke akuzuar Prokurorinë për “përgjumje”, nënvizonte se persona të ngjashëm me profilin e përshkruar nga ai në fillim të statusit, po prodhojnë e amplifikojnë lajme të rreme çdo ditë.

“Ndërkohë që prokuroria fle mbi dosje këta prodhojnë e amplifikojnë tërë ditën kundër qeverisë lajme të rreme, akuza të mëdha, muhabete të dehurish nga urrejtja!”, përmbyllte ai.

E vetmja çështje e fundit për të cilën kreu i ekzekutivit ka folur në Twitter, ka qenë ajo e një publikimi nga grupimi i hakerëve iranianë, Homeland Justice, ku u hodh në rrjetin Telegram databaza e të dhënave të nxjerra nga kryeministri prej sistemit TIMS.

Pra, të gjitha hyrje-daljet e tij jashtë vendit dhe disa specifikime të udhëtimeve.

Mbi këtë publikim, disa media, si edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ngritën pretendime se Rama ka bërë një numër të madh fluturimesh charter dhe ato kanë kushtuar shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore