Lajme

Ekonomia gjermane nuk do të ketë më rënie për këtë vit


Gjermania po i afrohet fundit të tremujorit të parë të këtij viti me një dozë optimizmi se kriza e vitit 2022 është tejkaluar dhe parashikuesit nuk po parashikojnë më një rënie të ekonomisë më të madhe të Evropës këtë vit, raportoi Bloomberg të shtunën.

Sipas raportimeve, ekonomia gjermane ndoshta do të dalë nga një recesion i lehtë në pranverë.

Prodhimi industrial dhe pritshmëritë e biznesit në Gjermani arritën nivelin e tyre më të lartë që kur Rusia pushtoi Ukrainën, ashtu si edhe indeksi i aksioneve DAX.

Prodhuesi gjerman i makinave Volkswagen ka parashikuar një rritje të mundshme prej 15 për qind në të ardhurat e saj këtë vit.

Në të njëjtën kohë, rihapja e Kinës pas pandemisë së koronës ofron mundësi të mëdha për eksportuesit dhe fabrikat gjermane kanë marrë një numër të shtuar të porosive nga jashtë që nga fillimi i këtij viti.

Në Gjermani, megjithatë, ka ende një tronditje për shkak të rritjes së kostos së jetesës, tregu i banesave është i paqëndrueshëm dhe rritjet e mëdha të normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane gjithashtu po ndikojnë negativisht, theksoi Bloomberg.

Ekonomia gjermane u tkurr me 0.4 për qind në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, më pak se gjysma e parashikimit të Komisionit Evropian.

Sipas një parashikimi të Bloomberg, produkti i brendshëm bruto (PBB) i Gjermanisë do të bjerë me 0.3 për qind nga janari në mars, por parashikimet për të gjithë vitin janë përmirësuar, duke treguar se PBB-ja do të mbetet e pandryshuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore