Lajme

Ekipi për dialogun, Azem Vllasi nuk është ftuar, por thotë se është i gatshëm t’i bashkohet meqë e njeh mirë Serbinë


Emrat e disa personave të cilët do të jenë pjesë e ekipit këshillëdhënës për dialogun Kosovë-Serbi, tashmë janë publikuar.

Në këtë listë nuk gjendet emri i avokatit Azem Vllasi. I njëjti nuk u ftua që t’i bashkohet këtij ekipi, por thotë se është i gatshëm të jap kontributin e tij.

“Jam i gatshëm të jap kontributin tim në dialog sepse i njohë politikat e Serbisë ndaj Kosovës për një kohë të gjatë, në kontinuitet dhe në rrethana të ndryshme”, tha Vllasi për Albanian Post.

Sipas tij, për të arritur marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, janë shumë tema që duhet të përfshihen brenda saj, me theks fati i personave të zhdukur.

“Gjëja kryesore është që Marrëveshja Finale ka karakterin e një dokumenti midis dy shteteve të barabarta që njohin njëri-tjetrin dhe kanë garantues të jashtëm të cilët mund të jenë BE-ja dhe SHBA-të”, thotë ai.

Vllasi beson që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vullnet për mbylljen e këtij procesi.

“Vlerësoj se Kryeministri Kurti ka vullnetin për t’i dhënë fund këtij dialogu, mbi të gjitha, mirë dhe në kohë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Sipas tij, miqtë ndërkombëtarë nuk do t’i kërkojnë Kosovës kompromise që dëmtojnë shtetësinë e saj.

“Miqtë tanë ndërkombëtarë që na ndihmuan në çlirimin nga Serbia dhe krijimin e shtetit nuk na kërkojnë për një kompromis që dëmton shtetësinë e Kosovës, territorin, kufijtë ose strukturën kushtetuese si një shtet unitar i ndërtuar sipas planit të Ahtisaarit”.

Ai shton se në dialog Kosova duhet t’ia përkujtoj palës serbe vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar e as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Të enjten e kaluar, organizata Jo-qeveritare “Grupi për Ballkan”, përmes një komunikimi publik kanë njoftuar se ekspertët e jashtëm  që do t’i bashkohen Kryeministrit Albin Kurti në dialog me Serbinë do të jenë: Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa dhe Veton Surroi.

“Së shpejti grupit të ekspertëve, pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala”, thuhet në të njëjtin njoftim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore