Lajme

Ekipi Menaxhues – Petkoviç i reagon Kurtit: Gjithë ditën mendon për më të keqen, po mundohet të blejë kohë


Petar Petkoviç

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili të dielën deklaroi se misioni dhe funksioni i Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ka përfunduar.

Petkoviç, nëpërmjet një komunikate për media, konsideroi se mandati i Ekipit Menaxhues zgjat deri në përfundimin e procesit të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa shtoi se nuk ka asnjë bazë ligjore që kreu i ekzekutivit ta shkarkojë këtë organ, siç tha ai, në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare.

“Përpjekja e Kurtit për të sfiduar përbërjen dhe mandatin e Ekipit Menaxhues nuk është gjë tjetër veçse një blerje e kotë e kohës, për të shmangur detyrimin për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por ai nuk do të ketë sukses”, pretendoi Petkoviç.

Për më tepër, korrieri personal i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, vlerësoi se kreu i ekzekutivit kosovare “gjithë ditën mendon për më të keqen”, duke pretenduar se ai po mundohet të largohet nga obligimi për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Kurti gjithë ditën mendon për më të keqen, përpiqet ta shkatërrojë dialogun, pasi nuk dëshiron të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por sado i vendosur në synimin e tij, Aleksandër Vuçiç janë edhe më të vendosur që ai të formohet”, tha Petkoviç.

Ndryshe, shefi i qeverisë këtë të diele tha se lirimi nga detyra i këtij ekipi, ka qenë vendimi më i drejtë që është marrë, ngase sipas tij, nuk ka më arsye të dëgjohet ky ekip, i cili ka prezantur draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, më 2 maj në Bruksel.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një konferencë për media pasi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, liroi nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, tha se roli i ekipit përfundon vetëm kur statuti të miratohet në tërësi.

Petkoviç pretendoi se edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e mbështetë vazhdimësinë e mandatit të Ekipi Menaxhues, duke kërkuar nga Kurti që “të rilexojë” deklaratën e BE-së rreth kësaj çështje.

“Prandaj, para se Kurti të vë në pikëpyetje funksionimin e Ekipit Menaxhues, le t’i rilexojë deklarimet e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, që Ekipi Menaxhues nuk mund të zëvendësohet njëanshëm, sepse janë pjesë e procesit të dialogut dhe për ta përbërja e këtij ekipi është ende valid”, përfundoi Petkoviç.

Ndryshe, diplomatët evropianë dhe Shtetet e Bashkura të Amerikës, me gjithë mospajtimet lidhur me këtë çështje, po insistojnë se  krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është çështja kryesore dhe prioriteti më i madh në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

BE-ja kundër, Kurti insiston: Ekipi Menaxhues e përfundoi misionin – “modeli kroat” s’u vlerësua nga ndërmjetësit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore