Lajme

Edhe Zveçani voton pro anëtarësimit në Asociacionin e Komunave të Kosovës


Komuna e Zveçanit

Pas Kuvendeve Komunal të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit e Zubin Potokut, edhe Kuvendi Komunal i Zveçanit ka votuar pro bashkimit të kësaj komune në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

“Me iniciativën e asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ashtu si Zubin Potoku dje, edhe Kuvendi Komunal i Zveçanit sot votoi pro bashkimit të kësaj komune në Asociacionin e Komunave të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndryshe një ditë më parë votimin pro të Kuvendeve Komunale të Leposaviqit dhe Zubin Potokut për bashkimin në Asociacionin e Komunave të Kosovës e kishte njoftuar nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Alban Uka.

“Pas Komunës së Leposaviqit edhe Komuna e Zubin Potokut i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës, përmes votimit që sapo ndodhi në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut. Na priftë e mbara!”, kishte shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Nga të katër komunat deri më tani vetëm Mitrovica e Veriut është anëtarësuar në këtë Asociacioni, meqë Kuvendi Komunal i Mitrovicë së Veriut kishte votuar pro bashkimit qysh në muajin qershor.

Asociacioni i Komunave të Kosovës është formuar në vitin 2001 pas zgjedhjeve të para demokratike komunale. Themelimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës është mbështetur në nenin 10 të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale në kuadër të Këshillit të Evropës.

“Na priftë e mbara” – Edhe Leposaviqi e Zubin Potoku votojnë për t’u bashkuar Asociacionit të Komunave të Kosovës

Për votimin pro të Kuvendeve Komunale të Komunave në Veri për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës kishte reaguar edhe Lista Serbe, duke theksuar se vendimet e tilla po merren “me qëllim të thellimit të krizës dhe shkaktimin e tensioneve në Kosovë dhe përkundër kërkesave të serbëve e Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore