Sport

Edhe ekipet angleze futen në garë për transferimin e Skriniar


Qendërmbrojtësi i Inter-it, Milan Skriniar, është bërë një nga temat më të nxehta në futboll.

Atij do t’i skadojë kontrata me klubin italian në verën e ardhshme dhe rinovimi ende nuk ka ardhur, përkundër se zikaltrit janë duke punuar me intensitet të lartë.

Me afrimin e janarit, lajmet për skuadrat e interesuara po forcohen dhe nga Anglia sigurojnë se ka disa klube të Premier League të gatshme për të bërë oferta goxha të larta për të.

Sipas raportimeve nga mediat angleze, emrat që kanë shfaqur interes të lartë për Skriniar janë Liverpool, Tottenham dhe Manchester United.

 

Deri më tani, në garë për kapitenin e Sllovakisë ishte Paris Saint-Germain, por ata tani duhet të përballen me konkurrencën e skuadrave të mëdha angleze.

27-vjeçari është pjesë e Inter-it që nga vera e vitit 2017, kur ishte transferuar nga Sapmdoria për shumën e 34 milionë eurove.

Që nga fillimi, ai ka qenë një ndër futbollistët kryesorë tek Inter-i, i cili ka sjellë vazhdimisht një siguri në repartin e mbrojtjes.

Skriniar deri më tani ka zhvilluar 236 ndeshje me fanellën zikaltër, prej të cilave ka shënuar edhe 11 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore