Lajme

Edhe dy gazetarë sulmohen në Veri, policia nis hetimet


Gazetarët në Veri.

Përmes raportit të Policisë së Kosovës është bërë e ditur se edhe të dielën e 11 dhjetorit janë kanosur gjatë ditës dy gazetarë në Veri të Kosovës.

Sipas raportit të policisë lidhur me rastin kanë filluar hetimet.

“Dy viktimat kosovarë/gazetarë kanë raportuar se përderisa kanë qene duke i marrë disa pamje nga barrikadat, një i dyshuar mashkull ka kryer veprën e cekur ndaj tyre. Viktimat janë ndjerë të kanosur dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Rasti vazhdon të hetohet”, është thënë nga Policia.

Që nga tensionimi i situatës mes Kosovës dhe Serbisë, sulmet ndaj gazetarëve kanë qenë jo të pakta.

Kamionë të mëdhenj dhe autobusë vazhdojnë t’i bllokojnë rrugët në fshatin Rudarë të Komunës së Zveçanit, përkatësisht në rrugën që çon drejt pikës kufitare me Serbinë – Jarinjë.

Për shkak të situatës aktuale të sigurisë në Veri, edhe shkollat fillore dhe të mesme në katër komunat veriore nuk do të punojnë deri në njoftimin e radhës.

Veriu i bandave?

Pjesëtarët e grupeve kriminale, mbështjellur fytyrat me maska, janë shndërruar në pamje të zakonshme në katër komunat veriore dhe gjithashtu numri i policisë së Kosovës është rritur ndjeshëm për t’iu përgjigjur kundërshtimit.

Vakumi i sigurisë në veriu u krijua për një çështje e cila tashmë ka përfunduar, por i kanë mbetur si zgjatime pasojat.

Kosova deshi të aplikojë vendimin e marrë nga Qeveria për konfiskimin e veturave me targa ilegale. U kundërshtua nga Serbia dhe serbët lokalë dhe u këshillua nga ndërkombëtarët të mos e bëjë. Qeveria më pas vendoi të sekuencojë vendimin dhe të vazhdojë me qortime e gjobitje për ato vetura që identifikohen me targa “KM…” të Serbisë. Serbët e Kosovës në revoltë lëshuan institucionet, pasi fillimisht pjesëtarët serbë të policisë refuzuan ta zbatojnë vendimin.

Meqë i dogjën mandatet në nivel politik, obligimi kushtetues thërriste për organizimin e zgjedhjeve. Duke përjashtuar vërejtjet për situatën e brishtë të sigurisë, presidentja Vjosa Osmani, e përkrahur nga Qeveria, shpalli datat 18 e 25 dhjetor si ditë zgjedhjesh të pjesshme për Mitrovicën e Veriut, Zubin Potokun, Zveçanin dhe Leposaviqin.

Edhe këtë vendim e shtyu qeveria e Kosovës, por nuk u shty dot kriza në veri, veçse u përshkallëzua.

Foto, ilustrim: Albanian Post.

E gjithë kjo, në një kohë kur evropianët u angazhuan për të gjetur një propozim për marrëveshje finale.

Propozimi fillimisht u trajtua si bastard, duke u publikuar vetëm në media e duke mos u pranuar si dokument evropian. Së pari u pagëzua nga Albanian Post si propozim franko-gjerman dhe pasi e pranuan më vonë të gjitha palët ekzistencën e tij, u birësua nga Bashkimi Evropian, duke aluduar se aty takonte si nismë nga fillimi.

Në momentin kur besohej se krizat akute do liheshin anash, për të vazhduar me propozimin dhe shpesën për një pajtim final, ose të paktën një hartë drejt atij pajtimi, krizat në terren veçse u shtuan, me palët duke akuzuar njëra tjetrën se nuk e duan marrëveshjen fare, prandaj e kthejnë në destruktivitet përmes veprimeve.

Aktualisht, tonet kanë prekur kulmin me zyrtarët serbë në krye me Aleksandër Vuçiç, që para publikut deklaruan se po e mendojnë rikthimin e trupave serbë në Kosovë duke i bërë një interpretim të çoroditur rezolutës 1244.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti e ka bërë të qatë se dëshirë e ka paqen, por kërcënimeve dhe aksioneve të Serbisë Kosova do t’u përgjigjet me aq forcë sa ka.

Bashkimi Evropian e ka gjetur të vështirë të arrijë të bindë palët, apo t’ua imponojë uljen në tavolinë për bisedime përfundimtare dhe në vazhdimësi kanë ndërhyrë temat ditore.

“Kemi mbetur në gjendje të menaxhimit të krizave të vazhdueshme”, pati thënë Josep Borrell, krye-diplomati evropian, në një nga konferencat e tij.

Në tensionet e rritura, mungesën e përgjigjes nga BE dhe potencialitetin e eskalimit, vizita e Këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, po mirëpritet si një çelës opsional zhbllokimi.

Ai në Ballkanin Perëndimor do qëndrojë deri me 17 dhjetor dhe viziton Kosovën dhe Serbinë.

Amerikani në agjendë ka diskutimet “për vazhdimin e bashkëpunimit për një sërë çështjesh, duke përfshirë përpjekjet e SHBA-së për të përmirësuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike, por edhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Agjenda zyrtare thotë se edhe në Serbi temat do ta kenë të ngjashme përmbajtjen.

Në të njëjtën kohë, BE po bën gati një takim mes Kurtit e Vuçiç me shpresë të mbahet para viti të ri.

Në ndërkohë, Veriu mbetet me disa rrugë të bllokuara, pasiguri të lartë dhe rrezik shpërthimi në çdo moment.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore