Lajme

Edhe 45 afganë arrijnë në Kosovë


Grupi i parë i afganëve në Kosovë

Në Republikën e Kosovës kanë arritur edhe 45 afganë të rinj, të cilët kanë braktisur vendin e tyre pasi militantët talebanë kanë marrë në dorë pushtetin në Afganistan.

Lajmin për ardhjen e tyre për Albanian Post e ka konfirmuar, Ferdinand Nikolla – Këshilltar Politik i Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ndërkaq, tutje thuhet se ardhja e tyre u bë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, pak ditë pasi që një grup prej 117 shtetasve afganë u largua nga Kosova për në Britani të Madhe.

Rreh largimit të grupit të afganëve kishte lajmëruar edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, e cila kishte njoftuar se 117 shtetas afganë kishin fluturuar nga Kosova për në Mbretërinë e Bashkuar, pas evakuimit të tyre nga Afganistani.

“Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar nën komandën e NATO -s janë vendosur në Kosovë dhe janë në pararojë të operacionit për të mbështetur strehimin dhe zhvendosjen e tyre”, thuhej në njoftimin e ambasadës.

“Mbretëria e Bashkuar është krenare që po luan rolin e saj dhe është anëtarja e parë e NATO -s që siguron zgjidhje të shpejtë të mëtejshme. Mbretëria e Bashkuar është angazhuar të zhvendosë rreth 150 afganë të lidhur me NATO-n”, u tha më tej në njoftim.

Ndërkaq, rreth qëndrimit të afganëve në Kosovë, Ambasada britanike ishte shprehur falënderuese, ndërsa ka thënë se i është jashtëzakonisht mirënjohëse për bujarinë e Kosovës në pritjen e këtyre njerëzve të cenueshëm dhe për hapin përpara për të mbështetur NATO -n në kohën e nevojës.

Kujtojmë se Kosova ishte një ndër vendet që pati pranuar të strehojë shtetasit afganë të pasi nuk ishin të sigurt më në Afganistan, kur vendi ra në duart e talibanëve.

Grupi i parë i afganëve në Kosovë kishte arritur më 29 gusht, ku raportohej të ishte një grup prej 111 personave.

Afganët e parë në Kosovë

Për sigurimin e tyre të ardhjes në vend janë parë forca të shumta të Policisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte lajmëruar se pritet të arrijnë rreth dy mijë shtetas afganë në Kosovë, për strehim të përkohshëm stacionar, deri në rregullimin e vizave amerikane.

Në Kosovë deri me tani janë strehuar 683 shtetas afganë që ikën nga Afganistani pasi militantët talibanë morën kontrollin e shtetit

Por, operacioni i sjelljes së afganëve të tjerë në Kosovë ende nuk ka përfunduar, kanë konfirmuar NATO-ja.

“Ne jemi duke punuar ngushtë me institucionet në Kosovë, të cilat kanë rënë dakord të presin të evakuarit dhe kanë identifikuar objektin Bechtel që do të shërbejë si strehim i përkohshëm derisa të identifikojmë opsionet e rivendosjes”, thuhet në përgjigjen e NATO-s. Rreth 2,000 persona pritet të strehohen përkohësisht në Kosovë, përderisa ata të presin kompletimin e dokumentacionit për t’u vendosur në baza të përhershme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Afganët që po qëndrojnë në Kosovë janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikanë si dhe forcat e tjera aleate të NATO-s, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore