Pajisje

E Premtja e Zezë: Shitësit me pakicë të teknologjisë përballë mungesave të furnizimeve


Për shkak të vonesave në zinxhirin e furnizimit, shitësit me pakicë të teknologjisë kanë paralajmëruar se mund të kenë stoqe të pamjaftueshme për të përmbushur kërkesën e së Premtes së Zezë.

Shoqata Online e Shitjes me Pakicë në Mbretërinë e Bashkuar, IMRG, ka treguar se industria po hasej me vonesa, zbulon agjencia e lajmeve “BBC”.

Mungesat e shoferëve dhe stafit të magazinës për të dërguar mallrat e blera janë gjithashtu një shqetësim për bizneset, ka thënë Andy Mulcahy, drejtor te IMRG.

Lidhur me të Premten e Zezë, ajo është një ngjarje vjetore ku shitësit me pakicë ulin çmimet për të joshur blerësit përpara periudhës së Krishtlindjes.

Është e zakonshme që shitësit me pakicë të blejnë një numër të madh njësive posaçërisht për të, ndonjëherë edhe disa muaj përpara.

Mirëpo, kur ka një vonesë prej katër deri në gjashtë javë, shitësit me pakicë mund të zbulojnë se do t’u duhet të ndryshojnë fushatat e tyre promovuese për t’u përqendruar në stokun që kanë.

Sipas Mulcahy, bizneset më të vogla mund ta kenë më të vështirë të menaxhojnë problemet e zinxhirit të furnizimit sesa kompanitë më të mëdha.

Këtë vit, Mbretëria e Bashkuar është goditur nga problemet e zinxhirit të furnizimit, me vonesa në portet e saj, si dhe mungesa të shoferëve të kamionëve.

Por me rëndësi është që nuk është vetëm.

Në nivel global, konsumatorët dhe bizneset po përballen me mungesa të produkteve që variojnë nga kafeja te qymyri.

Gjithashtu ka pasur paralajmërime në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se bllokimet në porte do të çojnë në mungesa në Krishtlindje.

Shoqata e shitjes me pakicë, dallon “BBC”, ka theksuar se do të kishte ende produkte teknologjike për të blerë, megjithëse disa artikuj mund të mos jenë aq të disponueshëm.

Edhe pse një traditë amerikane, e Premtja e Zezë si fenomen i blerjeve erdhi në Britaninë e Madhe në vitin 2013.

Që prej fillimit, klientët janë kthyer gjithnjë e më shumë në blerjet në internet, një trend i përforcuar edhe më shumë nga pandemia.

Në një vit normal, shitësit me pakicë do të prisnin që java në të cilën bie e Premtja e Zezë të ishte më fitimprurëse e vitit.

Por vitin e kaluar, klientët nisën blerjet për ofertat e të Premtes së Zezë edhe më herët, me numrin e pakove që dërgoheshin duke u rritur ndjeshëm nga fundi i tetorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore