Lajme

“E përkëdhelur nga Rusia, e majmur nga BE-ja”, kush është?


Bashkimi Evropian pikënisi një udhëtim tjetër “të vullnetit të mirë” nëpër Ballkanin Perëndimor.

Kjo, për të mbledhur mbështetje për bllokun dhe për t’u siguruar që kutia historike e Evropës nuk do të zgjedhë anën e Rusisë apo Kinës në botën e gjeopolitikës.

Por kjo siguri nuk lë mënjanë vëmendjen e pakursyer që ka Unioni ndaj Serbisë, e cila ka treguar pak kujdes nga ana e saj për solidaritetin në bashkimin me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

Për të vërtetuar këtë mendoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se BE-ja do t’i ofrojë 165 milionë euro Serbisë si mbështetje të menjëhershme për familjet dhe bizneset më të rrezikuara, në mënyrë që ato të mund të trajtojnë çmimet në rritje të energjisë”, u shpreh von der Leyen.

Kjo shifër e akorduar është më e madhe sa grantet e dhuruara nga BE-ja për Shqipërinë dhe Kosovën të mbledhura bashkë.

Kujtojmë që kjo ishte ndalesa e pestë e kryekomisioneres evropiane në rajon pas Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Shqipërisë dhe Bosnjës.

Gjatë qëndrimit të saj në Bosnjë dhe Hercegovinë, përfaqësuesja e lartë evropiane bëri me dije se vendi do të merrte 70 milionë euro nga paketa e BE-së për sigurinë energjetike.

Shqipëria ishte vendndalimi i tretë i kryekomisioneres evropiane në agjendën e saj.

Gjatë fjalës së saj, në prani të kryeministrit shqiptar Edi Rama, von der Leyen zbuloi edhe fondin e solidaritetit për “mbështetje buxhetore”.

Bëhej fjalë për 80 milionë euro, të cilat do të kalojnë përmes granteve për të shkuar te familjet dhe bizneset e vogla në një kohë të vështirë.

Më herët, BE-ja zbuloi paketën e mbështetjes energjetike për Kosovën duke i ofruar 75 milionë euro.

Bashkimi Evropian premtoi 80 milionë euro për Maqedoninë e Veriut për të trajtuar gjithashtu krizën energjetike në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

“Ka grante prej 500 milionë eurosh për të gjithë rajonin (Ballkanin) për të investuar në atë që është aq e nevojshme për të marrë pavarësinë tonë (energjetike), për të investuar në lidhjet e energjisë, efiçencën e energjisë dhe natyrisht në energjinë e rinovueshme”, theksoi shprehimisht von der Leyen.

Për vite me radhë, BE-ja është kapur në dy mendje në lidhje me Ballkanin Perëndimor: duke kërkuar t’i tërheqë ata afër si aleatë dhe të pengojë ndërhyrjen e huaj, por në të njëjtën kohë, duke i mbajtur ato në distancë.

…Serbia

Edhe pse BE-ja është deri tani investimi dhe partneri më i madh tregtar në rajonin me gjashtë vende, Von der Leyen e ka përfunduar punën e saj në Beograd.

Presidenti i krahut të djathtë dhe ish-presidenti populist antiperëndimor Aleksandar Vuçiç ka qeverisur për 10 vjet duke lejuar përhapjen e ndikimit rus.

Për vite me radhë, BE-ja ka varur perspektivën e anëtarësimit dhe prosperitetit pasues për kombet e Ballkanit.

Por ky premtim u dëmtua disi këtë vit kur BE-ja lejoi Ukrainën të hynte në korsinë e shpejtë si një vend kandidat, ndërkohë që përparimi në anëtarësimin për vendet e Ballkanit Perëndimor ka ngecur kryesisht.

Kjo ka kthyer disa vende të Ballkanit në skeptikë të BE-së.

Linja e Serbisë me Moskën shqetëson më së shumti bllokun, veçanërisht pasi Vuçiç ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

Pavarësisht ndihmës së BE-së, sondazhet e fundit kanë sugjeruar se mbështetja për integrimin e Serbisë në BE ka rënë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Sondazhet tregojnë se vetëm rreth 30-35 për qind e të anketuarve tani mbështesin bashkimin me BE, krahasuar me 57 për qind nga një sondazh i qeverisë vitin e kaluar.

Disa bëjnë me faj për këtë linjën pro-ruse në mediat serbe, e cila është ende një element kryesor i përditshëm, duke nxitur më tej ndjenjat anti-perëndimore.

Ndërsa Shqipëria dhe Kosova përgëzohen vazhdimisht nga krerët e Unionit për vullnetin e tyre drejt rrugës evropiane, e para priti deri deri në korrik për hapjen e negociatave ndërsa e dyta pret ende liberalizimin e vizave.

Me lëvrimin e fondeve, mund të lindin mëdyshje për pabarazi mes shteteve edhe nëse shifrat përkthehen ndryshe.

Serbia në bilancin e saj energjetik shpenzon 29.81 miliardë kWh të energjisë elektrike në vit.

Ndryshe nga Shqipëria (5 miliardë kWh) dhe Kosova (3.96 miliardë kWh).

Por, ajo prodhon në vit 7 miliardë kWh më shumë në krahasim me atë që shpenzon.

Popullsia aktuale e Serbisë është 8.6 milionë banorë, bazuar në përpunimin e Worldometer të të dhënave më të fundit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa Shqipëria dhe Kosova regjistrojnë respektivisht 2.8 milionë dhe 1.7 milionë banorë në vendet e tyre.

Dyshimeve mund t’iu jepen disa sqarime teknike, ndërsa gjëegjëza evropiane ka vetëm një përgjigje: “E përkëdhelur nga Rusia, e majmur nga BE-ja”, kush është?…Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore