Lajme

E koklavitur, e paqartë dhe e çuditshme – historia e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit


Manastiri i Decçanit dhe Qeveria e Kosovës

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Anglisë, Francës dhe Italisë në Kosovë, përmes një komunikate të përbashkët, gjatë ditës së martë kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës zbatimin e tërësishëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.

“Zbatimi i këtyre vendimeve paraqet përgjegjësi themelore demokratike të domosdoshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e ardhshëm euroatlantik. Edhe njëherë, e nxisim Qeverinë e Kosovës të lë anash mospajtimet politike, të përqafojë përgjegjësitë e saj demokratike dhe të zbatojë plotësisht të gjitha vendimet e Gjykatës”, thuhej në komunikatën e shteteve të QUINT-it.

Megjithatë avokati i Komunës së Deçanit, Dukagjin Povata, për Albanian Post ka treguar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit nuk thotë asgjë, dhe se Komuna e Deçanit nuk e ka të qartë se cilin vendim duhet zbatuar.

“Fillimisht shkalla e Parë e Dhomave Speciale të Gjykatës Supreme ka sjellë një vendim ku thuhet se refuzohet padia e pabazuar e ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria”, pastaj shkalla e dytë me ankesë të këtyre ndërmarrjeve dhe komunës e ka rrëzuar atë vendim”, ka thënë Povata

“Mirëpo Manastiri i Deçanit e ka dërguar këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese, dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë për rrëzimin e vendimit të shkallës së dytë dhe e ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, ku refuzohet padia e pabazuar e ndërmarrjes “Apiko dhe Iliria”, ka shtuar ai.

Manastiri i Deçanit

Ndërsa avokati Artan Çerkini, pa e komentuar aspektin politikë të kërkesës së shteteve të QUINT-it ka theksuar për AP se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen, përkundër se është e “pazakontë që shtetet e QUINT-it të kërkojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës, por marrë parasysh që ai vendim prodhon edhe disa efekte të tjera politike këto shtete kanë intervenuar”.

Reagimi i tyre sipas Çerkinit ndërlidhet me ndjeshmërinë e çështjes, pasi që sipas tij ka shumë vendime të Gjykatës Kushtetuese që nuk janë zbatuar por ambasadat e QUINT-it nuk kanë reaguar.

“Qeveria e Kosovës nuk ka alternativë tjetër pasi që mund të krijohet precedentë të rrezikshme që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të zbatohen sipas dëshirës së Qeverisë së Kosovës. Vendimet e Gjykatë Kushtetuese nuk duhen të zbatohen në mënyrë selektive”, ka shtuar ai.

Artan Çerkini

Në anën tjetër Arton Demhasaj, nga organizata jo qeveritare, Çohu, ka thënë për AP se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit është tejet problematike, marrë parasysh kompleksitetin e kësaj çështjeje.

“Qeveria e Kosovës duhet të marr një vendim të guximshëm për ta zbatuar atë vendim, për arsye se ka kundërshtime të mëdha edhe nga publiku por edhe nga Komuna e Deçanit në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Demhasaj

“Vendimet për dhënien e atyre pronave Manastirit të Deçanit janë të kontestueshme për arsye se janë dhënë në kohën e okupimit serb, dhe dihen se si janë marrë ato vendime, deri sot kemi pas disa Qeveri që nuk kanë arritur ta materializojnë atë vendim”, ka shtuar ai.

Arton Demhasaj

Redaksia e AP ka kontaktuar edhe Zyrën e Kryeministrit të Kosovës në lidhje me kërkesën e shteteve të QUINT-it për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, por ata nuk ishin të qasshëm në telefon.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pesë vite më parë kishte marrë vendim që manastirit të Deçanit t’i njohë pronësinë e 24 hektarëve tokë.

Mirëpo, ky vendim ka hasur në kundërshti me komunën e Deçanit si dhe ka ngjallur protesta të shumta qytetare.

Udhëheqësit e komunës së Deçanit thonë se pronat përreth Manastirit të Deçanit, që janë 24 hektarë u përkasin ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se asnjëherë nuk i kanë takuar Manastirit.

Në vitin 1997, autoritetet e atëhershme serbe në krye me Slobodan Milosheviçin, vendosën që pronat përreth Manastirit të Deçanit t’i takojnë këtij Manastiri.

Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse autoritetet e komunës së Deçanit refuzojnë t’i legalizojnë këto prona, pavarësisht vendimit të pesë viteve më parë, kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës i njohu këto prona si prona të Manastirit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore