Sport

Dyshohet se ishte e kurdisur përballja mes Jake Paul dhe Tyron Woodley


Fitorja shkatërruese me nokaut e youtuberit Jake Paul ndaj Tyron Woodley, ka ndezur fansat në mediat sociale, të cilët mendojnë se kjo ndeshje ishte manipuluar.

Një “Knockout” që ka ngjallur shumë diskutime pas imazheve të publikuara në rrjetet sociale, teksa hidhen akuza në fitoren e Jake Paul-it.

Mijëra përdorues të rrjeteve sociale kanë vënë në dukje se në video shihet një lëvizje e çuditshme e dorës së djathtë të Paul, duke aluduar për një sinjal që i jepet luftëtarit të UFC-së për t’u shembur në ring në goditjen e radhës.

Imazhet tregojnë se si Paul e kthen dorën e djathtë dy herë përpara se të lëshojë goditjen “vrastare” në fytyrën e kundërshtarit.

“Duket si një shenjë. Woodley u ble për ta pranuar atë grusht,” shkruan një përdorues.

“Paul kthen kyçin e dorës dhe Woodley ul vigjilencën në atë moment, nëse kjo nuk është marrëveshje, nuk e di se çfarë do të ishte tjetër”, thotë një tjetër.

Kujtojmë që kjo ishte fitorja e pestë, në po aq ndeshje në karrierën e Jake Paul-it, i cili katër prej tyre i ka me nokaut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore