Lajme

Dyshimet e prokurorisë për 8 zyrtarët policorë


“Sot janë ndaluar tetë zyrtarë, dy femra dhe një i komunitetit serb. Kemi vërtetuar se puna e përbashkët prokurorit, policisë e inspektorit kanë dërguar porosi të qarta tek të gjithë pjesëtarët e grupeve kriminale që të gjithë do përballen me drejtësinë”, tha në një konferencë për media Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi pas arrestimi të tetë zyrtarëve policorë.

“Nuk do tolerojmë asnjë fajtor t’i shmanget përgjegjësisë”, shtoi Lumezi.

Ai theksoi se Prokuroria fillimisht ishte duke kryer përgjime ndaj disa personave të tjerë për një vepër tjetër penale, ku gjatë rrugës kanë marrë informacione se një zyrtar policor është i përfshirë.

“I kemi zbatuar masatë fshehta të hetimit e vëzhgimit dhe në bazë të informacioneve që kemi marrë nga përgjimet, kemi ardhë në përfundim se duhet të vazhdojmë hetimet edhe për disa persona që të vërtetohet përgjegjësia e tyre penale për veprimet që kanë ndërmarrë”, tha Lumezi.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, potencoi se hetimet kanë qenë komplekse dhe kanë kërkuar një kohë më të gjatë.

“Ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe do të vazhdojmë me aksione të tilla qoftë brenda Policisë qoftë jashtë saj. Kur bëjmë hetime nuk shikojmë a është strukturë e lartë apo jo”, theksoi Mehmeti.

Edhe Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka reaguar pas arrestimit të tetë policëve.

Kosnett ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se është impresionuar që pas raportimit të qytetarëve institucionet kanë reaguar.

“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Sot duke falënderuar qytetarët e guximshëm, Inspektorati policor ka arrestuar tetë zyrtarë policorë”.

“Kjo pasoi një hetim bashkëpunues një vjeçar nga Inspektorati Policor, Policia e Kosovës dhe Prokuroria. Është inkurajuese të shohësh institucionet që reagojnë pas raportimeve të qytetarëve dhe duke vepruar në raportin e një qytetari dhe duke i mbajtur zyrtarët përgjegjës. Nëse sheh diçka, thuaj diçka”, ka shkruar Kosnett.

Veprat penale për të cilat të tetë zyrtarët akuzohen janë: vepër të keqpërdorimit të autorizimeve, keqtrajtimin gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ushtrim i ndikimit, dëmtim i lehtë trupor, posedim e shpërndarje e substancave narkotike.

Me urdhër të prokurorit të Gjykatës Themelore në Prishtinë janë bastisur disa lokacione, janë sekuestruar nëntë telefona, një veturë dhe disa dokumente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore