Euro 2020

Dyshimet e Mancini-t për formacionin përballë Belgjikës


Italia do të përballet me Belgjikën në çerekfinalet e Euro 2020 më 2 korrik. Por, ndryshe nga ndeshjet e mëparëshme, Roberto Mancini-t do i duhet të bëjë dy zgjedhje të vështira në lidhje me 11-en titullare.

Kapiteni i Italisë, Giorgio Chiellini ka lënë pas dëmtimin dhe është i gatshëm për ndeshjen me belgët. Francesco Acerbi mori vendin e kapitenit, kur ai u dëmtua, por tani mbetet për t’u parë, nëse do e mbaj atë vend, apo do e “rikthej” përsëri te Chiellini.

Mbrojtesi i Juventus-it tregoi se është ekoma në nivele të larta në ndeshjet e para që u aktivizua në fazën e grupeve dhe nëse do të jetë 100% i gatshëm, mundësitë janë të mëdha që ta nisë ndeshjen nga minuta e parë.

Chiellini dhe Leonardo Bonucci janë dy qendrat më të pëlqyera për Mancini-n, ndaj dhe kuotat që kjo dyshe të fillojë përballë Belgjikës janë të larta.

Dyshimi tjetër në kokën e teknikut është krahu i djathtë i sulmit. Domenico Berardi ka bërë mirë këtë Evropian dhe në formacion është vendosur përpara yllit të Juventus-it, Federico Chiesa-s.

Por, Chiesa ishte një nga autorët e golave që i sollën kualifikimin italianëve përballë Austrisë në raundin e të 16-ve. Ai gjithashtu ishte një nga lojtarët më të mirë të sezonin që lam pas, në Serinë A me bardhezinjtë.

Anësori ka teknikë dhe shpejtësi, dy armë të forta që mund të jenë kyçe në ndeshjen përballë Belgjikës.

Gjithsesi, Mancini do të ketë edhe një seancë stërvitore përpara ndeshjes së të premtes mbrëma, për të parë dhe për të vendosur përfundimisht se kush do të jenë 11-të fanellat titullare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore