Shqipëria

Dy vite nga shembja e Teatrit Kombëtar, Meta: Akt kriminal që ka mbetur pa fajtor


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, mëngjesin e 17 majit, e ka nisur duke kujtuar shembjen e Teatrit Kombëtar dy vite më parë.

“Si sot, dy vite më parë, nëpërmjet një akti kriminal në mes të errësirës dhe në kulmin e pandemisë, u shemb barbarisht në zemër të kryeqytetit, godina historike e Teatrit Kombëtar”, shkruan Meta në median sociale Facebook.

Kreu i Shtetit ka shprehur mirënjohjen për të gjithë “artistët jonkonformistë, gazetarët e pavarur, intelektualët dhe qytetarët e shumtë, të cilët edhe pse të tradhtuar pabesisht nga lidershipi opozitar, u shndërruan në simbole frymëzuese të rezistencës ndaj arbitraritetit, korrupsionit dhe dhunës shtetërore, duke zgjuar ndërgjegjen shoqërore për rrezikun që kërcënon trashëgiminë kulturore kombëtare”.

Duke e quajtur një “akt kriminal”, Meta gishtin e vendos te drejtësia shqiptare, e cila sipas tij edhe pse dy vite nuk ka shpallur ende një fajtor për shembjen e tij.

Sipas tij, ky akt jo vetëm që ka mbetur pa përgjegjës, por drejtësia nuk ka dhënë një përgjigje mbi arsyet e emergjencës të shembjes barbare të Teatrit Kombëtar.

“Shkeljet ligjore dhe kushtetuese, shkelja e Konventave Ndërkombëtare ku vendi aderon, si dhe falsifikimet e zyrtarëve në të gjitha nivelet, drejtësia ende nuk ka shpallur një fajtor”, përmbyllet dhe postimi i Metës.

Teatri Kombëtar para shembjes
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Më 2 korrik 2021, Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin e pjesshëm për Teatrin Kombëtar, përmes të cilit rrëzoi vendimin e Këshillit të Ministrave për t’ia kaluar në pronësi Bashkisë së Tiranës godinën.

Në Pikën 3 të vendimit thuhej se Gjykata shfuqizoi vendimin “për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurisë (nr.1/241) me emërtimin ‘Teatri Kombëtar’, duke e nxjerrë të papajtueshëm me Kushtetutën”.

Vendimi, po ashtu, shfuqizoi ligjin “për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’”. Sërish, i papajtueshëm me Kushtetutën.

Mirëpo, Kushtetuesja la në fuqi vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë “për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt-Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”.

Çështja e Teatrit Kombëtar, që prej shembjes së tij më 17 maj 2020, ka qenë ndër më të bujshmet në Shqipëri. Aktorë të shoqërisë civile janë përplasur me institucionet shtetërore, duke protestuar shpesh edhe në kohë pandemie.

Shembja e Teatrit Kombëtar, 17 maj 2020

Të përfshirë në çështje, kanë qenë edhe aktorë ndërkombëtarë. Ndër më të zëshmit, “Europa Nostra”, organizata pan-evropiane për trashëgiminë kulturore.

Punimet për Teatrin e ri Kombëtar tashmë janë ndërprerë.

Historiku i çështjes së Teatrit

Orët e para të 17 majit të vitit 2020, do ta gjenin gjithë Shqipërinë, por veçanërisht kryeqytetin, përballë lajmit të shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Ngjarja menjëherë krijoi një dyzim në opinionin publik dhe mbi të gjitha, nisi një zanafillë konfliktesh midis disa palëve.

Prejdy vjetësh, disa aktorë të Teatrit, por edhe aktivistë, i kishin dalë kundër propozimit fillimisht dhe më pas vendimit të Qeverisë, për të prishur godinën. Kjo, sepse sipas tyre, Teatri ishte pjesë e trashëgimisë kulturore dhe nuk mund të prekej.

Nëntë ditë përpara prishjes, më 8 maj 2020, Teatri Kombëtar i kaloi përfundimisht Bashkisë së Tiranës në pronësi. Ishte pikërisht ky vendim, ai i cili i hapi rrugë prishjes së godinës.

Prishja shkaktoi një sërë protestash publike edhe pse vendi gjendej në kohë pandemie. Jo të pakta ishin edhe rastet kur pati konfrontim fizik midis aktivistëve dhe policisë.

Por, ajo që mbetej, ishte një shesh bosh, nje plan i ri për teatrin dhe një grupim njerëzish të mbështetur nga presidenti, për të çuar kauzën në Gjykatën Kushtetuese.

Padia

Presidenti Ilir Meta, e pati çuar vendimin për kalimin e pronës nga Ministria tek Bashkia, më 14 maj 2020, vetëm tre ditë përpara prishjes së godinës.

Sipas Metës, vendimi “cenonte pasuritë publike dhe ishte anti-kushtetues”.

Kjo gjithsesi, nuk e ndaloi shembjen.

Për këtë shkak, çështja u zhvendos nga “të shpëtojmë godinën e Teatrit” në “të rikthejmë godinën e Teatrit”.

Një grupim me aktorë dhe shoqëri civile u formua dhe u prezantuan publikisht si Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Protestat e tyre vazhdonin, si parakusht për refuzimin e vendimit të tashmë, Bashkisë së Tiranës.

Rruga e cila ata ndoqën, ishte mbledhja e një dosje mbi çështjen dhe bashkimi i forcave me presidentin, për t’ia parashtruar Gjykatës Kushtetuese në tryezë.

Kjo e fundit, e shihte veten pa kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar çështje deri më 24 dhjetor.  Me betimin e Përparim Kalos, u plotësua minimalja e pesë anëtarëve nga nëntë.

Hetimi nga SPAK

Ndërkohë Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur një hetim që prej 4 gushtit të vitit të kaluar pas një padie nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Kjo e fundit ka dorëzuar pranë SPAK-ut një kallëzim penal edhe kundër ministres së Kulturës, Elva Margariti, për shpërdorim detyre.

Po ashtu, kjo Aleancë nuk ka kursyer as ambasadoren e SHBA-ve, Yuri Kim, duke e quajtur palë me krimin dhe atyre që shkelin ligjet.

Aleanca kërkoi ndjekje penale edhe për katër policët “për sjelljen e tyre në shkelje të etikës, në mënyrën e dhunshme ndaj artistëve dhe qytetarëve që shkuan thjesht për të depozituar një kërkesë në Ministrinë e Kulturës”.

Tashmë, dy vite pas, dosja e parë me peshë në opinionin publik, është në shqyrtim nga Gjykata e Posaçme Kundër Korruspionit dhe Krimit të Organizuar.
E vetmja gjë që pritet për Teatrin, është vendimi!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore