Shqipëria

Vendimi për Teatrin publikohet në fletore zyrtare


Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e punimeve për Teatrin e ri Kombëtar dhe rrëzimin e Ligjit Special për Teatrin, është publikuar në fletoren zyrtare. Kjo, pesë dit pas zbardhjes përfundimtare të vendimit, me argumentimin përkatës.

Më 16 korrik, Kushtetuesja shfuqizoi përfundimisht ligjin për Teatrin, duke i dhënë fund një debati më shumë se dy-vjeçar mbi çështjen.

Më në detaje, bëhet fjalë për ligjin numër 37/2018, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës” me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Arsyetimi mbi këtë pikë, është papajtueshmëria që ligji shfaq me Kushtetutën e Republikës.

Kjo pikë e parë, është rrjedhojë e shfuqizimit të kalimit të pronësisë në emër të Bashkisë Tiranë nga Ministria e Kulturës.

Nëpërmjet shfuqizimit të vendimit numër 377, datë 08.05.2020, të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin ‘Teatri Kombëtar’, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, Kushtetuesja rrëzon të dyja pikat.

Arsyetimi mbi kalimin e pronësisë, është po i njëjtë. Papajtueshmëri me Kushtetutën e Shqipërisë.

Pavarësisht këtij vendimi, shembja e Teatrit mbetet e ligjshme nga ana e Bashkisë. Pra, nuk ka shkelje në këtë pjesë të “sagës” së godinës kulturore.

Kjo pikë është e bazuar në ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar. Kërkesa në këtë rast ka qenë e papajtueshme me Kushtetutën.

Vendimi i pjesshëm ishte bërë me dije edhe më parë nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Asnjë ndryshim nuk ka në këtë vendim përfundimtar.

Prej ditës së sotme, me botimin në Fletoren Zyrtare, nuk ka më kthim prapa të këtij vendimi, pasi bëhet i formës së prerë.

Historiku i çështjes së Teatrit

Orët e para të 17 majit të vitit 2020, do ta gjenin gjithë Shqipërinë, por veçanërisht kryeqytetin, përballë lajmit të shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Ngjarja menjëherë krijoi një dyzim në opinionin publik dhe mbi të gjitha, nisi një zanafillë konfliktesh midis disa palëve.

Prej thuajse dy vjetësh, disa aktorë të Teatrit, por edhe aktivistë, i kishin dalë kundër propozimit fillimisht dhe më pas vendimit të Qeverisë, për të prishur godinën. Kjo, sepse sipas tyre, Teatri ishte pjesë e trashëgimisë kulturore dhe nuk mund të prekej.

Nëntë ditë përpara prishjes, më 8 maj 2020, Teatri Kombëtar i kaloi përfundimisht Bashkisë së Tiranës në pronësi. Ishte pikërisht ky vendim, ai i cili i hapi rrugë prishjes së godinës.

Prishja shkaktoi një sërë protestash publike edhe pse vendi gjendej në kohë pandemie. Jo të pakta ishin edhe rastet kur pati konfrontim fizik midis aktivistëve dhe policisë.

Por, ajo që mbetej, ishte një shesh bosh, nje plan i ri për teatrin dhe një grupim njerëzish të mbështetur nga presidenti, për të çuar kauzën në Gjykatën Kushtetuese.

Padia

Presidenti Ilir Meta, e pati çuar vendimin për kalimin e pronës nga Ministria tek Bashkia, më 14 maj 2020, vetëm tre ditë përpara prishjes së godinës.

Sipas Metës, vendimi “cenonte pasuritë publike dhe ishte anti-kushtetues”.

Kjo gjithsesi, nuk e ndaloi shembjen.

Për këtë shkak, çështja u zhvendos nga “të shpëtojmë godinën e Teatrit” në “të rikthejmë godinën e Teatrit”.

Një grupim me aktorë dhe shoqëri civile u formua dhe u prezantuan publikisht si Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Protestat e tyre vazhdonin, si parakusht për refuzimin e vendimit të tashmë, Bashkisë së Tiranës.

Rruga e cila ata ndoqën, ishte mbledhja e një dosje mbi çështjen dhe bashkimi i forcave me presidentin, për t’ia parashtruar Gjykatës Kushtetuese në tryezë.

Kjo e fundit, e shihte veten pa kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar çështje deri më 24 dhjetor.  Me betimin e Përparim Kalos, u plotësua minimalja e pesë anëtarëve nga nëntë.

Tashmë, gjashtë muaj më pas, dosja e parë me peshë në opinionin publik, është shqyrtuar.

E vetmja gjë që pritet për Teatrin, është vendimi!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore