Shqipëria

Shembja e Teatrit Kombëtar, vendimi i Shkallës së Parë ankimohet në GJKKO


Adriana Kalaja, përfaqësuesja ligjore e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit

Adriana Kalaja, përfaqësuesja ligjore e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ka bërë me dije të hënën e 6 dhjetorit se ka ankimuar vendimin e Shkallës së Parë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sa i përket ndërhyrjes së ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, Kalaja ka theksuar se nuk parashikohet asnjë bazë ligjore e hyrjes së tij në Gjykatën Kushtetuese, Posaçme, SPAK, etj.

“Çfarë halli kanë që shkojnë në Gjykatën Kushtetuese në ditën e vendimit të Teatrit Kombëtar”, tha Kalaja para mediave.

Të njëjtën gjë tha edhe për ambasadoren amerikane, Yuri Kim.

an image
Yuri Kim

“Soreca dhe Kim kanë marrëdhënie të drejtpërdrejtë vetëm me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme”, vijoi Kalaja në fjalën e saj.

Më 30 qershor Soreca zhvilloi një takim me kryetaren e gjykatës, Vitore Tusha – takim i cili nuk është bërë publik.

Kalaja më tej theksoi se shteti ligjor ka rënë pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është ekzekutuar.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka kërkuar shpalljen non-grata të ambasadorit Soreca, si dhe e ka kallëzuar penalisht në SPAK.

Kjo e fundit është mohuar gjatë muajit korrik nga zyra e BE-së dhe vendim kundër Soreca-s “nuk ka” duke e quajtur atë “shpifje”.

“Kemi besim tek ambasadori Soreca. Akuzat janë shpifje dhe të pabazuara. Soreca ka besimin e plotë nga liderët e Brukselit. Ai po bën një punë të mirë në Shqipëri për komunikimin mes BE-së dhe Shqipërisë”, thuhej asokohe nga përfaqësuesit e Soreca-s.

Avokatë të fushës kanë pohuar se SPAK-u ka “zero juridiksion” për të hetuar jo vetëm ambasadorin Soreca por të gjithë përfaqësuesit diplomatikë në Shqipëri.

Te dyja trupat diplomatike në Shqipëri – SHBA-BE – kanë qenë një zë lobues për Reformën në Drejtësi, dhe “shtetin e së drejtës”. 

Image
Luigi Soreca
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Më 2 korrik 2021, Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin e pjesshëm për Teatrin Kombëtar, përmes të cilit rrëzohet vendimi i Këshillit të Ministrave për t’ia kaluar në pronësi Bashkisë së Tiranës godinën.

Në Pikën 3 të vendimit thuhej se Gjykata shfuqizon vendimin “për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurisë (nr.1/241) me emërtimin ‘Teatri Kombëtar’, duke e nxjerrë të papajtueshëm me Kushtetutën”.

Vendimi, po ashtu, shfuqizon ligjin “për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’”. Sërish, i papajtueshëm me Kushtetutën.

Teatri Kombëtar para shembjes

Mirëpo, Kushtetuesja la në fuqi vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë “për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt-Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”.

Çështja e Teatrit Kombëtar, që prej shembjes së tij më 17 maj 2020, ka qenë ndër më të bujshmet në Shqipëri. Aktorë të shoqërisë civile janë përplasur me institucionet shtetërore, duke protestuar shpesh edhe në kohë pandemie.

Shembja e Teatrit Kombëtar, 17 maj 2020

Të përfshirë në çështje, kanë qenë edhe aktorë ndërkombëtarë. Ndër më të zëshmit, “Europa Nostra”, organizata pan-evropiane për trashëgiminë kulturore.

Punimet për Teatrin e ri Kombëtar tashmë janë ndërprerë. Ndërkohë, vendimi i plotë i Kushtetueses, pritet t’i japë fund një sage konfliktuale disa vjeçare për skenën teatrore shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore