Shqipëria

Kushtetuesja për Teatrin: Rrëzimi – OK, bartja e pronësisë dhe ndërtimi – JO


Gjykata Kushtetuese ka dhënë sot vendimin e pjesshëm për Teatrin Kombëtar, përmes të cilit rrëzohet vendimi i Këshillit të Ministrave për t’ia kaluar në pronësi Bashkisë së Tiranës.

Në Pikën 3 të vendimit thuhet se Gjykata shfuqizon vendimin “për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurisë (nr.1/241) me emërtimin “Teatri Kombëtar…”, duke e nxjerrë të papajtueshëm me Kushtetutën.

Vendimi, po ashtu, shfuqizon ligjin “për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’”, po ashtu si i papajtueshëm me Kushtetutën.

Mirëpo, Kushtetuesja ka lënë në fuqi vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë “për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt-Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”.

Rrjedhimisht, bazuar në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, pezullohet zbatimi i Këshillit të Ministrave për t’ia kaluar territorin e Teatrit Kombëtar, Bashkisë së Tiranës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore