Lajme

Dy shpërthime në Mitrovicën Veriore


Dy shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në veri të Mitrovicës të dielën e 17 prillit kanë raportuar mediat lokale.

Por, sipas zëvendësdrejtorit të Policisë në Veriun e Mitrovicës Besim Hotit, në këtë pjesë kishte festë dhe pati mjete piroteknike.

“Nuk ka pasur asnjë dëm ose lajmërim në polici nga ana e ankuesve”, tha Hoti shkurt për Albanian Post

Ndryshe, vetëm gjatë këtij muaji zyrtarët policorë në veri janë sulmuar pesë herë më armë zjarri.

Por, ende nuk janë identifikuar autorët nga organet e rendit.

Në vendin ku kishin ndodhur sulmet më 16 prill kishte dalë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Policia jonë kufitare mbikëqyrë bllokimin e rrugëve ku më herët është zhvilluar kontrabanda. Përkundër 5 sulmeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ndaj zyrtarëve policorë, puna e tyre po vazhdon me intensitet të njëjtë e me vigjilencë të shtuar”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ndërsa të premten e 15 prillit, Sveçla në konferencë të jashtëzakonshme për media pati bërë të ditur se Polica e Kosovës është sulmuar me A47 dhe granata dore.

Sveçla, bëri të ditur se sulmet janë duke u kryer në forma të ndryshme, mirëpo në të njëjtën zonë.

“Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.

Katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore