Lajme

Sveçla viziton pikat kufitare në veri: Përkundër pesë sulmeve ndaj policëve, puna vazhdon


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar pikat kufitare në Jarinje, Bërnjak dhe Shaptej ku qe pesë herë janë sulmuar zyrtarët policorë dhe veturat e tyre nga persona ende të pa identifikuar nga organet e rendit.

“Policia jonë kufitare mbikëqyrë bllokimin e rrugëve ku më herët është zhvilluar kontrabanda. Përkundër 5 sulmeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ndaj zyrtarëve policorë, puna e tyre po vazhdon me intensitet të njëjtë e me vigjilencë të shtuar”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sipas tij, “sulmi ka ndodhur derisa zyrtarët policor po kontrollonin në rrugët e kontrabandës të cilat i kemi mbyllur”.

“Gjendja shëndetësore e zyrtarëve policorë është e mirë dhe nuk ka dëme materiale”.

Me AK-47 dhe granata dore, sulmohet Policia e Kosovës në Veri

Të premten e 15 prillit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencë të jashtëzakonshme për media ka bërë të ditur se Polica e Kosovës është sulmuar për tri herë radhazi në Veri të Kosovës.

Sulmi i fundit, ka thënë Sveçla, ka ndodhur mëngjesin e sotëm.

“Rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për ta bërë ndërrimin në pikat kufitare”.

“Ky sulm tashmë me granate dore dhe A47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Sveçla, që në konferencë ishte bashkë me Drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti.

Sveçla, bëri të ditur se sulmet janë duke u kryer në forma të ndryshme, mirëpo në të njëjtën zonë.

“Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.

Ndryshe, katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore