Sport

Dy herë e pamundur


Data shënonte 10 tetor 2009 dhe një mrekulli do regjistrohej para 10-çit më të fortë të historisë së futbollit, Diego Armando Maradona, në petkun e trajnerit.

Protagonist do të ishte sulmuesi legjendar Martin Palermo, në stadiumin “Monumental” të River Plate.

Pasditja ishte e zymtë dhe e kapluar tërësisht nga grija e reve, por atmosfera festive ndriçoi gjithçka.

Ishte ndeshja e fundit e Argjentinës në shtëpi në kuadër të kualifikueseve për Botërorin “Afrika e Jugut 2010”.

Askush nuk e imagjinonte se çfarë do të ndodhte më pas, madje as futbolldashësi më i çmendur.

Pjesa e parë ishte e qetë, me raste të pastra, por që Argjentina nuk mundi t’i konkretizonte.

“Hajde djema”, bërtiste Maradona nga pankina. Të gjithë u çmendën me ritmin e “Olé, olé, olé, olé, Diego, Diego” në çdo lëvizje të 10-çit.

Pas pushimit, Kombëtarja u duk më e motivuar dhe goli i parë erdhi nga djaloshi “i shtëpisë” Gonzalo Higuaín.

Pas klithmës së egër, tifozët vazhduan të thërrisnin: “Jepi, jepi Argjentinë”. Gjithçka ishte gëzim dhe festë.

Por befas, muzgu përfshiu humorin dhe botën e argjentinasve.

Loja tashmë po përfundonte. 45 minuta e pjesës së dytë: gol nga Peru-ja.

Monumentali u shua i gjithi në heshtje.

Shiu filloi të binte më intensivisht dhe njerëzit ikën të tmerruar dhe pa shpresë: kishin mbetur jashtë Kupës së Botës.

Sepse ëndrra kishte marrë fund. Fusha ishte gjysmë bosh dhe perdja e shiut pengonte të shihte se çfarë po ndodhte.

Dhe ai që nuk dorëzohet kurrë, që nuk jep asgjë për humbjen, pa shansin e fundit.

Një pasim mjeshtëror nga “Pocho” Insúa ishte sinjali që rroku Martín Palermo për të bërë atë që dinte më mirë: një gol të pamundur.

Papritur të gjithë filluan të bërtasin dhe të përqafonin njëri-tjetrin.

Askush nuk mund ta shihte golin.

Ishte Maradona që u rrek të zhytej në pellgjet më ujë që i bëri tifozët të kuptonin se çfarë po ndodhte.

Atë ditë, ndodhi dy herë e pamundura.

Tifo-grupi më famëkeq i River Plate, “Los Borrachos del Tablón” nuk mundi të përmbahej dhe bërtiti “Paleeeermo, Paleeeermo”.

Ata po ngrinin në qiell ikonën e rivalëve të përjetshëm Boca Juniors, të mbiquajtur “Titani i çmendur”.

Por, tek e fundit, kush diti tjetër përveç tij, që të bëjë gjëra të pamundura?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore