Euro 2020

Dy arsye se përse Shevchenko është legjendë e Ukrainës


Andriy Shevchenko ka qenë një nga lojtarët më të njohur në arenën ndërkombëtare të futbollit. Ish-sulmuesi i Milan-it dhe Chelsea-t koleksionoi disa trofe në karrierë, mes të cilëve edhe Topin e Artë në vitin 2003 dhe Ligën e Kampionëve.

Padiskutim arritjet e Shevës në futboll bëjnë krenarë kombin e tij, por ai në Ukrainë do të mbahet mend gjatë për dy arritje të mëdha që i ka bërë futbollit të atij vendi.

Fillimisht, le të kthehemi në vitin 2006. Në Kupën e Botës që u mbajt në Gjermani në këtë vit mori pjesë edhe Ukraina, ku Sheva ishte sulmuesi kryesor.

Ukraina ishte pjesë e Grupit H, së bashku me Spanjën, Arabinë Saudite dhe Tunizinë. Ukrainasit ia dolen të dilnin të dytët në grup, me dy fitore dhe një humbje. Shevchenko shënoi golin e fitores ndaj Tunizisë dhe një nga katër golat që u shënuan përballë Arabise Saudite.

Me kalimin e grupit, në raundin e të 16-ve, Ukraina u përballë me Zvicrën. Ndeshja përfundoi në barazim pa gola, por ukrainasit fituan pas gjuajtjes së 11 metërshave 3-0.

Sheva humbi penalltinë e parë, por shokët e tij u treguan të saktë, duke shënuar, ndërsa zvicerianët humben tre penallti. Pasi mposhti Zvicrën, Ukraina u kualifikua për herë të parë në histrinë e saj në çerekfinalet e Kupës së Botës, ku u mposht nga Italia kampione me rezultatin 3-0.

Por, kjo arritje ishte padiskutim edhe falë meritës së sulmuesit që përveç golave, kishte një peshtë të madhe në skuadër dhe ishte një emër që trembëte mbrojtjen kundërshtare.

Sheva u tërhoq nga futbolli i luajtur në vitin 2012 dhe në 2016 filloi karrierën si ndihmës trajner te Ukraina dhe pak muaj, kaloi si trajner i parë.

Aktualisht Sheva me Ukrainën e tij janë në Euro 2020. Pasi arriti kualifikimin pa asnjë humbje, në Euro 2020, Ukraina me në krye 44-vjeçarin, tanimë do të luajë në çerekfinale, ku përballë do të ketë Anglinë.

Kjo është hera e parë që Ukraina kualifikohet në çerekfinalen e një Kampionati Evropian. Dhe Sheva është përsëri aty, ku skuadra e tij kombëtare ka një arritje kaq të madhe në futboll, ndonëse kësaj radhe i udhëheq nga pankina e jo nga fusha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore