Lajme

Durmishi paralajmëron padi për shpifje ndaj PDK-së, u akuzua për 9 milionë euro kontrata


Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (me kompetenca të ministrit në sektorin e Infrastrukturës), Hysen Durmishi, ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ai ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj deklaratave të cilat deputeti Abelard Tahiri i dha përmes një konference për media, ku e akuzonte zëvendës-ministrin e Infrastrukturës për 42 kontrata njëburimore me vlerë mbi 9 milionë euro.

“Qeverisja e keqpërdorimit të buxhetit të shtetit ka marrë fund dhe nuk kthehet më. Natyrisht që për të gjitha këto shpifje ne do të ngrehim padi në organet e drejtësisë”.

Durmishi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka shkruar se kjo mënyrë e qeverisjes së drejtë opozitës po ju pengon.

“Asnjë shkelje të ligjit nuk e kemi bërë, e nuk e kemi asnjë aferë korruptive, e për më shumë kujdesemi në maksimum për paranë publike, gjë që është e pa kuptueshme për qeverisjet e kaluara e sidomos për PDK-në, që e zhvatën shtetin për vite me radhë”, shkruan Durmishi.

Ndërsa, ka bërë të ditur se është vetëm një kontratë e negociuar e lidhur nga MMPHI-ja, për projektin e “Zgjatjes së pistës së aeroportit Adem Jashari”, projekt ky i ndërprerë për shkak të pandemisë.

Ndër të tjera, shtoi se përveç kësaj kontrate të gjitha të tjerat janë të nënshkruara.

“Dhe ndërkohë në teren përballemi me një gjendje jo të mirë të rrugëve për shkak të punimeve të ndërprera. Në mënyrë që ti përfundojmë këto kontrata kemi nënshkruar aneks kontratat për punë shtesë, të gjitha sipas legjislacionit në fuqi dhe në përpikëri me të”.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

“Shtrohet pyetja se kush janë këta që po akuzojnë e që po shpifin? PDK, që nuk ka lënë gjë pa bërë duke abuzuar me pushtetin. Vetëm një dëshmi po u’a jap që e tregon se si qeverisim ne me vendin tonë dhe se sa kujdesemi për paranë publike”.

Ai tutje ka sqaruar edhe koston e mirëmbajtjeve për rrugët.

“Mirëmbajtja verore e dimërore për rrugët regjionale e nacionale qeverisjeve të kaluara ju ka kushtuar 19 milion euro në vit. Kurse në qeverisjen tonë për një vit për rrugët e njëjta vetëm 9 milionë euro. Edhe më lirë e natyrisht edhe më mirë”.

Durmishi, konsideron se PDK-ja është në hall me xhepin e saj që e kishte të lidhur me buxhetin e shtetit.

“Kjo parti është në hall me xhepin e saj që e kishte të lidhur me buxhetin e shtetit”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, bashkë me deputeten Eliza Hoxha dhe anëtarin e Kryesisë, Bernard Nikaj, në konferencë për media të hënën kanë bërë të ditur dyshimet për aferat korruptive të Ministrisë së Infrastrukturës.

Shefi i Grupit Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, deklaroi se nga dita e parë e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti e deri me 7 prill të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës ka keqpërdorur paratë e taksapaguesve.

Sipas Tahirit, këto afera zbulojnë keqpërdorim të mbi 9 milionë euro për 42 kontrata të negociuara nga Ministria e Infrastrukturës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore