Lajme

PDK-ja akuzon Ministrinë e Infrastrukturës për keqpërdorim të mbi 9 milionë euro


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, bashkë me deputeten Eliza Hoxha dhe anëtarin e Kryesisë, Bernard Nikaj, në konferencë për media të hënën kanë bërë të ditur dyshimet për aferat korruptive të Ministrisë së Infrastrukturës.

Shefi i Grupit Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, deklaroi se nga dita e parë e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti e deri me 7 prill të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës ka keqpërdorur paratë e taksapaguesve.

“Ministria e udhëhequr nga Liburn Aliu dhe bashkë hisedari i tij Hysen Durmishi, për një vit, kanë lidhur gjithsej 42 kontrata për punë shtesë, të cilat nuk janë zhvilluar përmes procedurave të rregullta të prokurimit”.

“Në këtë sipërmarrje korruptive, ekipet tona të juristëve dhe ekonomistëve kanë evidentuar një numër të konsiderueshëm të shkeljeve, të cilat jo vetëm që shkelin dispozitat e ligjit, por përbëjnë aktivitet të hapur korruptiv dhe vepër të pastër penale, dhe të cilat do të duhej e do të duhet të trajtohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, tha Tahiri.

Partia Demokratike e Kosovës – PDK

Sipas Tahirit, këto afera zbulojnë keqpërdorim të mbi 9 milionë euro për 42 kontrata të negociuara nga Ministria e Infrastrukturës.

Ai bëri të ditur se në këtë dikaster nuk ka pasur procese prokurimi.

“Shkeljet e evidentuara dhe abuzimi me paranë publike në këtë rast, përbëjnë vepër të pastër penale, dhe mbi këtë bazë, ne do të përgatisim kallëzim penal për secilin akter të përfshirë.”, potencoi ai.

Edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka argumentuar shkeljet e Ligjit për Prokurimin Publik, të bëra nga Ministria e Infrastrukturës.

Ajo theksoi se shumica e këtyre kontratave janë nënshkruar nga zëvendësministri Hysen Durmishi.

“Në kontratat e nënshkruara brenda kësaj periudhe njëveçare, Ministria e Infrastrukturës ka eliminuar konkurrencën e lirë dhe ka diskriminuar operatorët ekonomik. Shkelje tjetër ligjore në këto kontrata edhe e mos planifikimit i aktiviteteve të prokurimit, siç përcaktohet në nenit 8 të ligjit.

“Vlera e kontratave gjatë përdorimit të kësaj procedure në periudhën një vjeçare arrin vlerën rreth 9 milion euro.”, tha deputetja Hoxha.

Ndërsa anëtari i Kryesisë, Bernard Nikaj, e quajti këtë “super aferë”, të Qeverisë Kurti.

“E gjithë kjo ndërmarrësi korruptive, e bën shumë të qartë se nuk kemi të bëjmë me procese prokurimi. Kemi të bëjmë me fenomenin e pastër të tenderomanisë. Dhe për më keq, tenderomanisë pa procese e procedura tenderësh të hapur. Shkeljet e evidentuara dhe abuzimi me paranë publike në këtë rast, përbëjnë vepër të pastër penale, dhe mbi këtë bazë, ne do të përgatisim kallëzim penal për secilin akter të përfshirë”.

Në këtë konferencë, Tahiri ka paralajmëruar edhe kallëzim penal ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), nëse vazhdon që t’i shpërndajnë faturat e energjisë me rritje.

Ai ka thënë se falë PDK-së, vendimi i ZRRE-së është shpërfaqur antiligjor dhe si i tillë nuk duhet të implementohet.

“Zotëri Kurti nuk ka arritur të japë për krizë të madhe. As nuk është menaxhuar ngritja e çmimit. Falë PDK-së është pezulluar vendimi i ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike dhe zotëri Kurti nuk ka dhënë zgjidhje. Inflacioni ka qenë 10 për qind. Bordi i ZRRE po vepron një anshëm duke tarifuar qytetarët pa bazë ligjore. Nëse ndodh kjo do t’iu bëjmë kallëzim penal dhe këtë njerëz do të përfundojnë në burg. Vendosja e tarifave është veçse haraç. T’i tarifojnë qytetarët me tarifa të vjetra”, tha Tahiri.

Ndër të tjera për mundësinë që qytetarët ta tërheqin një pjesë nga fondi i kursimeve pensionale, ai ka kërkuar përkrahje edhe nga mazhoranca.

“Ne kemi proceduar me projektligj. Besoj që edhe VV-ja duhet ta përkrahë një iniciativë të tillë sepse 30 për qind e trustit do ta zbuste jetën e qytetarëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore