Shqipëria

Duma: Grupi ka kërkuar që PD-ja të shkojë në zgjedhje, nuk ka bashkim me Berishën


“Shumica e grupit të PD-së ka kërkuar që partia të shkojë drejt zgjedhjeve”.

Kështu është shprehur deputetja e opozitës Grida Duma, në një dalje për mediat një ditë pasi dha dorëheqjen nga detyra e nënkryetares së Partisë Demokratike, sa i përket largimit të kreut Lulzim Basha pasi PD-ja humbi në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Duma theksoi se tashmë Basha nuk ka më mbështetjen e gjysmës së deputetëve demokratë.

“Besoj se si çdo gjë në jetë ka zhvillime, etapa, një minimum dhe maksimum, tani situata ka shkuar në maksimum dhe PD-ja nuk mund të mbahet kur nuk ka mbështetjen e shumicës”, tha ajo.

Duke iu referuar zonës ku ajo është drejtuese politike, Duma theksoi se, “ne kemi menduar si grupim apo pjesë e shtabit elektoral të Durrësit, që është jetike për qytetarët durrsakë, të qartësojmë me transparencë qëndrimin e opozitës, të PD-së mbi një projekt që dikush e quan zhvillimor, por në fakt është krejtësisht i mbyllur”.

Ajo përmendi këtu dhe njëherë “aferën e Portit të Durrësit”.

“Porti i Durrësit do të thotë 81 ha, të cilat janë marrë dhe ua dhënë disa oligarkëve duke mos patur transparencë dhe duke mos ditur se çfarë ndodh aty. Duhet që opozita ta bëjë transparente dhe qëndrimi ynë ka qenë 81 ha t’u kthehen qytetarëve”, u shpreh Duma.

Ndërsa sa i përket një bashkëpunimi me ish-liderin Sali Berisha, në Komisionin e Rithemelimit të PD-së, Duma u shpreh e qartë se ajo nuk sheh mbrapa, por para.

“Unë kam thënë se PD-ja duhet të ecë para dhe jo të ecë pas”, tha ajo para gazetarëve.

Ajo e përmbylli me një mesazh sa i përket dështimit apo jo të Bashës.

“Të gjitha vendimet që kemi marrë në momentin që duam ta çojmë partinë drejt suksesit, drejt Perëndimit, i janë dhënë këto mundësi. Tani duhet të lexojmë që njerëzit nuk e kanë me vendimet, por me individët”, e përmbylli ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore