Shqipëria

Duke përmendur ngjarjet më të rëndësishme të vitit, Kim uron shqiptarët për festat


Me rastin e festave të fundvitit, ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, përmes një video-mesazhi ka uruar të gjithë qytetarët shqiptarë, duke përfshirë momentet më të rëndësishme të vitit 2021.

“Ishte padyshim një vit sfidash të jashtëzakonshme, ndërsa bota vazhdoi të përballej me pandeminë e COVID-19 dhe teksa Shqipëria vijoi rimëkëmbjen pas tërmetit të 2019-ës dhe u përball me përmbytjet dhe zjarret e këtij viti. Pavarësisht këtyre dhe sfidave të tjera, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, jo vetëm festuan 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, por dhe bëmë përparim historik drejt forcimit të demokracisë”.

Nga ana e ambasadores nuk ka munguar dhe Reforma në drejtësi.

“Me krenari ju mbështetëm teksa ecët përpara në zbatimin e reformës në drejtësi, Gjykata Kushtetuese, pas tre vitesh përgjumjeje, filloi të funksionojë në fillim të këtij viti, duke iu bashkuar elementëve të tjerë të drejtësisë shqiptare, përfshirë SPAK dhe BKH”.

Zgjedhjet ishin aspekti tjetër, të cilin Kim e bazoi në raportin e OSBE-ODIHR.

“Qytetarët gjatë këtij viti ushtruan të drejtën demokratike për të votuar. Pas zgjedhjeve, OSBE-ODIHR hartoi një raport ku vuri në dukje mangësi dhe parregullsi, dhe ne mirëpresim që të ju mbështesim në përpjekjet për tu përgjigjur rekomandimeve të ODIHR”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore