Lajme

Dronët s’mund të përdoren pa autorizim të KFOR-it, Trajkoviç: Vendimet e Qeverisë s’po ndihmojnë në ruajtjen e sigurisë  


Ilustrim

Si të çuditshëm e ka cilësuar Rada Trajkoviç, këshilltare politike në Qeverinë e Kosovës, vendimin e Kosovës për të blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia pa koordinim paraprak me Misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in.

Një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi për blerjen e dronëve nga Turqia, KFOR-i njoftoi se dronët nuk mund të përdoren pa autorizimin paraprak nga ky mision ushtarak, prandaj sipas këshilltares politike të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, vendimet të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës nuk po ndihmojnë në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit evropian.

“Stabiliteti ndiqet me veprime, jo me fjalë. Vendimet e çuditshme të marra për ‘show’ dhe pa koordinim me garantuesit e sigurisë së Kosovës, NATO-s, nuk po ndihmojnë në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit evropian”.

Pas blerjes së dronëve, KFOR-i, njoftoi se Komandanti i këtij misioni e ka autoritetin parësor mbi hapësirën ajrore të Kosovës.

“Për sa i përket përdorimit të të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimeve përkatëse, duke përfshirë dronët Bayraktar TB-2, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, komandanti i KFOR-it ka autoritetin parësor mbi hapësirën ajrore të Kosovës”, thuhej në deklaratë.

Sipas KFOR-it hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për fluturime komerciale, ndërsa hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për qëllime specifike dhe me autorizim paraprak nga komandanti i KFOR-it.

“Ne presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, thuhej ndër të tjera në deklaratë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore