Lajme

Drejtori i ‘Visametric-ut’ ndalohet për 48-orë


“VisaMetric”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ndaluar për 48 orë drejtorin e VisaMetric-ut i cili është shtetas turk.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin “Visametric”, Prokurorja e Shtetit, sot pas marrjes së deklaratës nga i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i këtij subjekti”.

Teksa në përgjigjen e Ulajt, theksohet se ai dyshohet për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

“Me aktvendim mbi ndalim e ka ndaluar të njëjtin në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.

Më 18 maj, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte pranuar kallëzim penal ndaj kompanisë “VisaMetric” së cilës Gjykata Komerciale e Kosovës ia kishte ndaluar që të marrë nga 30 euro për shërbime postare për pasaportat e qytetarëve.

Kompania “Visametricut” është kompani që ofronte shërbime të autorizuara nga përfaqësitë gjermane në Kosovë për të trajtuar shërbimet e mbështetjes për aplikimin për viza.

Mirëpo, pas vendimit të Gjykatës Komerciale “Visametricut” i është ndaluar ky veprim.

Ky vendim i Gjykatës ka ardhur pas inicimit të avokatit Flamur Abdullahu që kishte iniciuar në Gjykatën Komerciale rastin e operatorit ekonomik VisaMetric L.L.C që shërbimi postar në vlerë prej 30 eurosh të mos jetë obligativ për aplikantët për viza në Ambasadën Gjermane.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ishte pyetur nga gazetarët për këtë çështje, mirëpo ai ishte përgjigjur shkurt duke thënë se “s’kam koment. Flisni me Visametricun”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore