Lajme

Drejtori i ri i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s: Do të ruajë mbështetjen për organizatat e sigurisë në Kosovë


Ministria e Mbrojtjes ka organizuar një ceremoni të pranim-dorëzimit të detyrës të Drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).

Këtë detyrë që nga prilli i vitit 2022 deri më tani e mbante Joachim Hoppe, ndërsa këtë të marte i është dorëzuar gjeneral brigade, Ralf Peter Hammerstien.

Pjesë e kësaj ceremonie përveç ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, udhëheqës të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Shefja e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.

Kryeministri Kurti mbajti një fjalim në këtë ceremoni, ku theksoi se “Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, na mundëson të ruajmë sigurinë tonë aktuale dhe të sigurojmë një të ardhme drejt Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimit në NATO”.

Ndërkaq, ai shtoi se mbështetja e NALT-it dhe në veçanti e gjeneralit Hoppe, në hartimin e tre ligjeve bazë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, themelimin e komisionarit parlamentar për FSK-në dhe bashkëpunimin e ngushtë në përmirësimin e procesit të rekrutimit “ishte vendimtare për përmirësimin efektiv të mbikëqyrjes demokratike civile të Forcës”.

Gjithashtu, edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e falënderoi për kontributin e dhënë deri më tani gjeneralin Hobbe dhe tha se ky kontribut është një dëshmi e lidershipit, ekspertizës dhe përkushtimit të tij ndaj vlerave dhe parimeve të NATO-s.

“Përpjekjet e tij kanë ndihmuar në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës, duke kontribuar në sigurinë e përgjithshme të rajonit dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar”.

Po ashtu, gjeneral brigade, Joachim Hoppe u shpreh se ka qenë një “nder i madh të përfaqësojë NATO-n këtu në Kosovë dhe se ndjehet krenar për punën që ka bërë NATO-ja dhe ekipi i tij në këshillimin e organizatave të sigurisë në Kosovë”.

Njashtu, edhe drejtori i ri i NALT, Hammerstein vlerësoi mikpritjen që iu është bërë në Kosovë dhe shtoi se “do të ruajë mbështetjen e NALT-it për organizatat e sigurisë në Kosovë duke vazhduar të ndërtojë më tej mbi përpjekjet e pararendësit të tij”.

Ndryshe, Shefja e Operacioneve Aktuale, Divizionit të Operacioneve të SHP të NATO-s, Ariella Viehe e dekoroi Gjeneralin Hoppe me medalje të NATO-s, dhe me medalje për “Shërbim të shquar” u dekorua nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Që nga gushti i vitit 2016, misioni i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s është që të mbështesë zhvillimin e mëtejmë të organizatave të sigurisë në Kosovë, sipas mandatit të tyre origjinal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore