Kosova

Dreçun: Në Ohër evituam rrezikun e njohjes së Kosovës


Milovan Dreçun

Kryetari i të ashtuquajturit “Komision për Kosovën” në Kuvendin e Serbisë, Millovan Dreçun, është shprehur se në takimin e Ohrit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është bërë një përparim dhe se Serbia i ka “evituar grackat e shumta me të cilat ballafaqohej”.

“Vetë propozimi evropian doli nga statusi i neutralitetit, e trajtoi Kosovën si shtet dhe i kërkoi Serbisë që të pajtohej me këtë dhe të mos e kundërshtonte anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. Dhe, për më tepër ta njohë atë në njëfarë mënyre, së pari de fakto, dhe më pas de jure”, tha Dreçun për “Tv Pink”.

Tutje, ai u shpreh se mbi këto baza “marrëveshja nuk mund të arrihet plotësisht” dhe sipas tij, “nuk mund të jetë e qëndrueshme në afat të gjatë”.

“Rrethanat shkuan në kundërshtim me interesat tona atje. Ambienti në të cilin ndodhi e gjithë kjo ishte jashtëzakonisht i vështirë dhe të gjitha ato kurthe duhej të shmangeshin. Është evituar rreziku që Beogradi ta njohë shtetin e Kosovës në çfarëdo mënyre dhe të pranojë në çfarëdo mënyre anëtarësimin e tij në OKB”, tha ai.

Ndërkaq, ai deklaroi se kanë arritur që ta shmangin rrezikun “për t’u shpallur fajtor për një dështim të mundshëm, për refuzimin e këtij plani dhe për marrjen e masave ndëshkuese nga BE-ja, përkatësisht Perëndimi”.

Duke konsideruar të gjitha këto rrethana, Dreçun shtoi se “mund të konstatojë” se në Ohër është arritur “njëfarë progresi”, ndërsa të arriturën më të madhe e sheh themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Është gjithashtu e rëndësishme që Kosova tani ka gjasa më të vogla të na mbajë peng të politikës së saj të bllokimit të qëllimshëm të dialogut kur bëhet fjalë për përparimin tonë në rrugën drejt BE-së”, tha ndër të tjera Dreçun.

Kosova dhe Serbia, më 18 mars u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore