Shqipëria

Dosja e SPAK-ut: Ahmetaj përfitoi rreth 500 mijë euro nga biznesmenët e inceneratorëve


Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të terthortë rreth 500 mijë euro, duke mbuluar natyrën e vërtetë të burimit të tyre.

Kështu shkruhet në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila është zbuluar nga transmetuesi “Euronews Albania”.

Fillimisht, ish-zyrtari i lartë ka përfituar një shumë prej 170 mijë e 480 euro në vitin 2016 dhe 2017, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj.

Kjo, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj shtetasit Andi Boni (pagesë e kryer në përfundim nga shtetasi Helidon Begaj) në dy apartamente me sipërfaqe 124.15 m2, ndodhur në ZK3292, në vendin e quajtur Selitë, në pallatin e ndërtuar nga shoqëria ‘Sheron”, sh,p.k.

Sipas SPAK-ut kjo vlerë është paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Andi Boni dhe Helidon Begaj.

“Pasurinë truall plus ndërtesë me nr.pasurie 1/110 vol 12 faqja 26 ZK 1925 me sipërfaqe trualli 521.13 m2 e përfituar në vitin 2017 nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, në mënyrë të tërthortë nëpërmjet transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në pronësi të shtetases Erjola Hoxha, bashkëjetuese e personit nën hetim Arben Ahmetaj”, vijon dosja hetimore.

Në vijm të hetimeve, SPAK ka zbuluar se Ahmetaj ka përfituar shumën prej 130 mijë euro në vitin 2017 dhe 2018 duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj.

Kjo, përkundrejt një ‘shitje’  ndaj shtetasit Besmir Prifti, të një apartamenti me sipërfaqe, 178.68 m2 dhe një garazhi me sipërfaqe 21 m2, ndodhur në ZK 3292, në vendin e quajtur Selitë, në pallatin e  ndërtuar nga shoqëri ‘Sheron” sh.p.k.

Sipas SPAK-ut, kjo vlerë është paguar sërish në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri dhe subjekti tregtar “Intefradet Technology Services”, sh.p,k nëpërmjet shtetasit Besmir Prifti.

Në vitin 2018, ish-zëvendës kryeministri ka përfituar shumën prej 140 mijë euro, duke u mbukuar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj.

Kjo, përkundrejt një ‘shitje’, ndaj shtetases Sonila Goxhaj, të një apartamenti me sipërfaqe 178.68 m2 dhe një garazhi me sipërfaqe 21 m2 ndodhur në zonën në ZK 3292në vendin e quajtur Selitë në pallatin e ndërtuar nga shoqëria ‘Sheron” sh.p.k.

SPAK vëren se kjo vlerë është paguar po ashtu në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Sonila Goxhaj, Sokol Meqemeja dhe shoqërisë “Frigo Food” sh.p,k.

Në vijim, Ahmetaj ka përfituar edhe shumën prej 34 mijë e 422 euro të përfituar në formën e shpenzimeve dhe pagesa hotelesh, udhëtimesh përgjatë periudhës 2013-2017.

Këto pagesa janë kryer drejtpërdrejt nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri për shtetasin Arben Ahmetaj apo të afërm të tij.

“Shumën në total prej 2 milionë e 73 mijë e 73 lekë, në vitin 2019 dhe 2020 në formën e pagesave të kryera ndaj subjekteve tregtarë të ndryshme nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shoqërisë ‘Integrated Technology Services’ , sh.pk në funksion të një investimi të kryer në pasurinë e llojit apartament me nr.7/434+1+1 sipërfaqe 167 m2 në rrugën Reshit Çollaku, ap.1 në pronësi të Arben Ahmetajt”, përmbyllet dosja hetimore.

Ndërtimi i situatës

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj nuk do të paraqitet personalisht në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, por do të përfaqësohet nga avokatët e tij.

Kujtojmë që mbledhja do të mbahet të martën e 11 korrikut në orën 16:00 dhe do të vendosë edhe fatin e ish-zyrtarit të lartë, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme SPAK, lidhur me arrestimin e tij në bazë të tre akuzave, e cila mbërriti mëngjesin e 10 korrikut.

Sipas një njoftimi zyrtar nga Kuvendi i Shqipërisë, ashtu si ka kërkuar SPAK, mbledhja do të zhvillohet me dyer të mbyllura.

SPAK-u ka ngritur tre akuza kundrejt Ahmetajt: refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim – korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë – pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Po ashtu, Prokuroria e Posaçme kërkon lejen për ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit.

Kuvendi ka tanimë të drejtën të mbledhë Këshillin Parlamentar për Mandatet, që të shqyrtohet kërkesa për heqjen e mandatit të deputetit dhe më pas të kalohet në seancë plenare.

Ndërkaq procedura mund të shmanget nëse vetë deputeti e dorëzon mandatin e tij, duke hequr dorë nga imuniteti, pasi ligjvënësit janë imunë dhe nuk mund të arrestohen pa lejen e Kuvendit.

Ahmetaj ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.

Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda dy javësh harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës.

Hetimet ndaj Ahmetajt

Hetimi ndaj ish-zëvendëskryeministrit për çështjen e inceneratorëve fillimisht tashmë është bashkuar me denoncimin e bërë ndaj tij për fshehje të ardhurash, pas kontrolleve që SPAK-u zhvilloi në vilën e bashkëjetueses së tij.

Ndërkaq, Ahmetaj ishte i thirrur nga Prokuroria e Posaçme më 22 qershor, kur ai theksoi se “sqaroi pozicionin”.

Përballë prokurorëve, ai qëndroi plot gjashtë orë.

Duhet theksuar se ishte vetë SPAK, që bëri me dije se Ahmetaj po hetohet më vete në rastin e njohur si çështja e inceneratorëve.

Përtej hetimeve të përgjithshme lidhur me inceneratorët, ku disa ish-zyrtarë të lartë, ku përfshihen ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, por edhe shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, procedimi penal mbi Ahmetajn, po trajtohet më vete.

Ahmetaj ka deklaruar se si ish-ministër i Ekonomisë dhe si ish-ministër i Financave nuk ka pasur asnjë rol vendimmarrës për inceneratorët.

Ai ka mohuar lidhjen me Zoton, për të cilin është shprehur se e njeh vetëm si biznesmen, ndërsa sa i takon vilës në Hamallaj ai ka deklaruar se ajo është pronë e familjes së bashkëjetueses.

Në vitin 2020, Zoto biznesmeni i shpallur në kërkim për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pastrimit të parave, i shkroi një hoteli ku kishte bërë pagesë me kartën e tij të kreditit vite më parë dhe kërkoi që t’i konfirmonin pagesën e bërë në favor të ish-zëvendës kryeministrit.

Në email-e zbulohet se Zoto ka prenotuar ose paguar me kartën e tij të kreditit qëndrimet e Ahmetajt.

Nëse vërtetohen akuzat, sa vite rrezikon Ahmetaj?

Ish-ministri i Shqipërisë, siç u tha më lart akuzohet për disa vepra penale.

E para, lidhet me korrupsionin dhe në bazë të ligjit, është e dënueshme nga 4 deri në 12 vjet.

E dyta, lidhet me pastrimin e parave dhe kjo është një vepër me pasoja më të rënda penale, e cila është e ndëshkueshme ligjërisht nga 7 deri në 15 vjet burg. Kjo e fundit më së shumti në raste kur ka sjellë pasoja të rënda.

Akuza e tretë lidhet me deklarimin e rremë dhe fshehjen e pasurisë, e cila është një akuzë më e lehtë dhe mund të dënohet qoftë me burgim deri në 3 vjet, por edhe thjesht me gjobë.

Në rastin e Ahmetajt, ajo çfarë pritur paraprakisht është drita jeshile e Kuvendit, sa i takon heqjes së imunitetit që ai gëzon si deputet.

Më pas, të shihet çështja në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku Ahmetaj do të kthehet edhe në ish-zyrtarin më të lartë shqiptar, i cili ka një çështje të hapur me drejtësinë (si zëvendëskryeministër).

Arben Ahmetaj ministër i krizave, por dhe Komisioneve

Cilat janë 3 akuzat që rëndojnë mbi Arben Ahmetajn dhe sa vjet burg rrezikon

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore