Shqipëria

Dosja e SPAK, Ahmetaj në hetim për inceneratorin e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit


Teksa pritet që të mblidhet Këshilli i Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) për arrestimin e deputetit socialist, Arben Ahmetaj, Albanian Post ka arritur të zbardhë dosjen hetimore në ngarkim të tij.

Nga dosja vërehet se Ahmetaj ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë rreth 500 mijë euro, duke mbuluar natyrën e vërtetë të burimit të tyre.

Përtej hetimeve të përgjithshme lidhur me inceneratorët, ku disa ish-zyrtarë të lartë, ku përfshihen ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, por edhe shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, procedimi penal mbi Ahmetajn, po trajtohet më vete.

Ahmetaj ka deklaruar se si ish-ministër i Ekonomisë dhe si ish-ministër i Financave nuk ka pasur asnjë rol vendimmarrës për inceneratorët.

Por, në dosje thuhet se me shkresën e 27 qershorit 2016, Ahmetaj – atëherë ministër i Financave  – është shprehur se janë përmbushur në tërësi kriteret e përcaktuara nga VKM-ja në lidhje me vijimin e procedurave të koncensionit.

Kjo, në rastin e projektit koncensionar të Fierit – miratim ky i ardhur pas pengesës që po i bëhej kësaj procedure nga ana e paraardhësit të tij, ish-ministrit, Shkëlqim Cani.

Në lidhje me inceneratorin e Elbasanit,  Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, nëpërmjet vartësit të tij, të ndjerit Zamir Stefani, ka kontribuar në dhënien e koncensionit, në kundërshtime kuadrin ligjor rregullues.

Kjo, duke u zbatuar procedura e negocimit pa shpallje paraprake si dhe duke mos u zbatuar detyrimet e tjera të ngarkuara nga kuadri ligjor në fushën e koncensioneve – thuhet në dosje.

Ahmetaj ka mohuar lidhjen me Zoton, për të cilin është shprehur se e njeh vetëm si biznesmen, ndërsa sa i takon vilës në Hamallaj ai ka deklaruar se ajo është pronë e familjes së bashkëjetueses.

Në vitin 2020, Zoto biznesmeni i shpallur në kërkim për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pastrimit të parave, i shkroi një hoteli ku kishte bërë pagesë me kartën e tij të kreditit vite më parë dhe kërkoi që t’i konfirmonin pagesën e bërë në favor të ish-zëvendës kryeministrit.

Në email-e zbulohet se Zoto ka prenotuar ose paguar me kartën e tij të kreditit qëndrimet e Ahmetajt.

Në dosjen hetimore, janë dokumentuar disa pagesa për hotelet ku ka qëndruar Ahmetaj.

Aty shkruhet se të gjitha këto detaje janë përfituar nga kontrolli i e-mailit të Klodian Zotos, ku janë vërtetuar rezervimet që ka bërë për në emër të Arben Ahmetajt, por të gjitha janë paguar nga Klodian Zoto.

Konkretisht, Ahmetaj, si edhe ish-gruaja dhe bashkëjetuesja e tij, Eriola Hoxha përfituan 9 udhëtime të paguara nga Zoto nga vitit 2013 deri në vitin 2017.

Kryesisht hotelet në të cilat kanë qëndruar janë në vendet e BE-së, Itali, Austri, Francë e Gjermani.

Në dosjen e SPAK renditen disa udhëtime të Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit, të paktën që nga viti 2012 e kanë vazhduar edhe në vitin 2014 kur kanë marrë jetë procedurat e koncesionit për inceneratorët.

Dalja e tyre e parë së bashku, e cila është dokumentuar në dosjen e SPAK rezulton të jetë bërë më 23 nëntor 2012.

Fshehja e pasurisë

Fillimisht, ish-zyrtari i lartë ka përfituar një shumë prej 170 mijë e 480 euro në vitin 2016 dhe 2017, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj.

Kjo, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj shtetasit Andi Boni (pagesë e kryer në përfundim nga shtetasi Helidon Begaj) në dy apartamente me sipërfaqe 124.15 m2, ndodhur në ZK3292, në vendin e quajtur Selitë, në pallatin e ndërtuar nga shoqëria ‘Sheron”, sh,p.k.

Sipas SPAK-ut kjo vlerë është paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Andi Boni dhe Helidon Begaj.

“Pasurinë truall plus ndërtesë me nr.pasurie 1/110 vol 12 faqja 26 ZK 1925 me sipërfaqe trualli 521.13 m2 e përfituar në vitin 2017 nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, në mënyrë të tërthortë nëpërmjet transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në pronësi të shtetases Erjola Hoxha, bashkëjetuese e personit nën hetim Arben Ahmetaj”, vijon dosja hetimore.

Në vijim të hetimeve, SPAK ka zbuluar se Ahmetaj ka përfituar shumën prej 130 mijë euro në vitin 2017 dhe 2018 duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj.

Kjo, përkundrejt një ‘shitje’  ndaj shtetasit Besmir Prifti, të një apartamenti me sipërfaqe, 178.68 m2 dhe një garazhi me sipërfaqe 21 m2, ndodhur në ZK 3292, në vendin e quajtur Selitë, në pallatin e  ndërtuar nga shoqëri ‘Sheron” sh.p.k.

Sipas SPAK-ut, kjo vlerë është paguar sërish në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri dhe subjekti tregtar “Intefradet Technology Services”, sh.p,k nëpërmjet shtetasit Besmir Prifti.

Në vitin 2018, ish-zëvendës kryeministri ka përfituar shumën prej 140 mijë euro, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj.

Kjo, përkundrejt një ‘shitje’, ndaj shtetases Sonila Goxhaj, të një apartamenti me sipërfaqe 178.68 m2 dhe një garazhi me sipërfaqe 21 m2 ndodhur në zonën në ZK 3292në vendin e quajtur Selitë në pallatin e ndërtuar nga shoqëria ‘Sheron” sh.p.k.

SPAK vëren se kjo vlerë është paguar po ashtu në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Sonila Goxhaj, Sokol Meqemeja dhe shoqërisë “Frigo Food” sh.p,k.

Në vijim, Ahmetaj ka përfituar edhe shumën prej 34 mijë e 422 euro të përfituar në formën e shpenzimeve dhe pagesa hotelesh, udhëtimesh përgjatë periudhës 2013-2017.

Këto pagesa janë kryer drejtpërdrejt nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri për shtetasin Arben Ahmetaj apo të afërm të tij.

Dosja e plotë e dërguar nga SPAK në Kuvendin e Shqipërisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore