Lajme

Dogana: Terminali në Mitrovicë do të ketë afër 15 mijë metra katrorë


Ilustrim

Dogana e Kosovës së shpejti do të filloj procedurat për hapjen e terminalit doganorë në hapësirat e ndërmarrjes Trepça në qytetin e Mitrovicës.

Hapësira e ndërmarrjes Trepça po shihet si e përshtatshme nga autoritetet doganore të Kosovës meqë ajo hapësirë është shfrytëzuar nga ky institucion edhe më parë, përkatësisht deri në vitin 2013.

Për Albanian Post, nga zyra për media e Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se hapësira ku pritet të ndërtohet terminali doganor ka një sipërfaqe të madhe me mundësi të zgjerimit.

“Kjo hapësirë përbëhet nga afër 15 mijë metra katrorë dhe mund të zgjerohet sipas nevojave dhe marrëveshjes me Trepça SHA”.

“Në kuadër të këtij terminali Menaxhmenti i Trepçës do t’i ofroj Doganës shfrytëzim edhe të hapësirave tjera sipas nevojave operacionale”, thuhet në përgjigjen e Stavilecit.

Hapësira e cila përbën interes për Doganën ka një infrastrukturë të mjaftueshme për zhvillimin e veprimtarisë së saj.

“Kjo hapësirë vazhdon të posedojë infrastrukturën e nevojshme të terminalit, siç janë zyrat për Doganë, Agjension të Ushqimit dhe shpedicione, nyjet sanitare, ndriçimin, ujin dhe platformën e asfaltuar të pa ndryshuar”.

Të enjten, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati me anë të një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ka shkruar se ka autorizuar Drejtorin e Doganave të Kosovës për fillimin e procedurave për hapjen e terminalit doganor në hapësirat e ndërmarrjes Trepça.

“Sot kam autorizuar Drejtorin e Doganave të Kosovës për të nisur procedurat për hapjen e terminalit doganor shtetëror në hapësirat e Trepçës në Mitrovicë, dhe do të vazhdojmë edhe me tjerat shumë shpejt. Për një shtet të drejtë, dhe që çliron potencialin e biznesit!”, ka shkruar ai.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Ndërsa në faqen zyrtare të Doganës së Kosovës, për terminalin në Mitrovicë thuhet se terminali gjendet në thellësi të territorit dhe larg dy pikave kufitare por pa ofruar të dhëna konkrete rreth lokacionit se ku gjendet terminali doganor.

Por, aty thuhet se “Në Degën Doganore Mitrovicë (terminal), deklarohen për zhdoganim mallrat nga vet vozitësit (importuesit) e ndryshëm pasi që nuk ka ndonjë procedurë paraprake për arsye të mosfunksionimit të dy pikë-kalimeve kufitare me Serbinë në këtë pjesë të Kosovës.

D.D. MITROVICA

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore