Lajme

Dodik ngre padi kundër Schmid-it: Po merret me punët e përfaqësuesit të lartë pa autorizim


Milorad Dodik, presidenti i entitetit të dominuar nga serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, Republika Srpska, e intensifikoi mosmarrëveshjen e tij me komunitetin ndërkombëtar duke paraqitur atë që ai e quajti një “ankesë penale” kundër përfaqësuesit të lartë të emëruar ndërkombëtarisht në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Kam bërë kallëzim penal kundër Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt në Prokurorinë Publike të Qarkut në Banja Luka sepse ai ka kohë që merret me punët e përfaqësuesit të lartë pa autorizim, për të cilin nuk ka asnjë vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shkroi Dodik në Twitter.

Dodik pretendoi se “me qëllimin për të shkaktuar dëme në Republikën Srpska, Schmidt paraqitet në mënyrë të rreme si një zyrtar duke e ditur se ai nuk ishte emëruar në përputhje me Aneksin 10 të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.”

Po ashtu dy ditë më parë, Dodik ka nënshkruar dekretin për shpalljen e Ligjit për ndryshimin e Ligjit për publikimin e Ligjeve dhe Rregulloreve të tjera të Republikës Srpska, i cili ishte miratuar nga Asambleja Parlamentare e RS-së, në një seancë speciale të mbajtur me 21 qershor 2023.

Përmes miratimit të këtij ligji, vendimet e Përfaqësuesit të Lartë në BeH, Christian Schmidt, nuk do të botohen në gazetën zyrtare të RS-së.

Ky nënshkrim i dekretit nga Dodik vjen vetëm pak ditë pasi që Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, kishte vendosur të shtunën e 1 korrikut lidhur me ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH në territorin e Republikës Srpska, të miratuar nga Asambleja Kombëtare e RS, bazuar në kompetencat e Bonit (të parapara në Marrëveshjen e Dejtonit, më 1995, e cila i dha fund luftës në BeH.

Ndërsa anëtari boshnjak i presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beçiroviç, i ka bërë thirrje bashkësisë së organizuar ndërkombëtare që të stopojnë veprimet de-stabilizuese të presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – Millorad Dodik.

“Presidenti pro-rus i entitetit Republika Srpska duhet të ndalet urgjentisht dhe me vendosmëri përpara se të destabilizojë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai, gjatë një fjalimi me rastin e përkujtimit të ditës së gjenocidit ndaj boshnjakeve në Srebrenicë në Lancaster House në Londër.

Ndërkaq, ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i bashkohen sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar ndaj Dodik-ut – të cilët e kanë shpallur non-grata atë për shkak të veprimeve të tij destabilizuese në BeH.

“Ndaleni Dodik-un para se ta destabilizojë Ballkanin”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore