Lajme

“Ndaleni Dodik-un para se ta destabilizojë Ballkanin”


Millorad Dodik

Anëtari boshnjak i presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beçiroviç, i ka bërë thirrje bashkësisë së organizuar ndërkombëtare që të stopojnë veprimet de-stabilizuese të presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – Millorad Dodik.

“Presidenti pro-rus i entitetit Republika Srpska duhet të ndalet urgjentisht dhe me vendosmëri përpara se të destabilizojë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai, gjatë një fjalimi me rastin e përkujtimit të ditës së gjenocidit ndaj boshnjakeve në Srebrenicë në Lancaster House në Londër.

Ndërkaq, ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i bashkohen sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar ndaj Dodik-ut – të cilët e kanë shpallur non-grata atë për shkak të veprimeve të tij destabilizuese në BeH.

“Është koha që Bashkimi Evropian t’i bashkohet sanksioneve të vendosura nga Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër mohuesve të gjenocidit dhe shkatërruesve të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995)”.

Për gjenocidin në Srebrenicë, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka dënuar me burgim të përjetshëm udhëheqësin e vetëshpallur të Republikës Srpska, Radovan Karaxhiç, dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë politikë dhe ushtarakë.

Por, përkundër kësaj, Beçiroviç thotë se ata janë dënuar ligjërisht, “por politika e tyre nuk ka vdekur”.

“Fatkeqësisht, presidenti aktual i Republika Srpska, Milorad Dodik, nuk mori mësim nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Përkundrazi, sikurse krimineli Radovan Karaxhiç, Dodik mohon gjenocidin e kryer, fyen viktimat dhe familjet e tyre dhe ndërmerr veprime që paraqesin kërcënim serioz për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Bosnje-Hercegovinë dhe në rajon”, ka thënë ai.

Ndërsa, Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, kishte vendosur me 1 korrik lidhur me ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH në territorin e Republikës Srpska, të miratuar nga Asambleja Kombëtare e RS, bazuar në kompetencat e Bonit (të parapara në Marrëveshjen e Dejtonit, më 1995, e cila i dha fund luftës në BeH)

Ai ka vendosur se nuk do të hyjë në fuqi ligji për mospublikimin e vendimeve të Përfaqësueses së Lartë, i miratuar nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska, si dhe ligji për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.

“Vendimi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues të BeH-së, dhe rrjedhimisht Marrëveshjen e Dejtonit. Institucionet e entitetit nuk kanë të drejtë të devijojnë nga vendimet e institucioneve shtetërore, si dhe të devijojnë nga institucionet e bazuara në Kushtetutën e BeH-së”, theksoi Schmidt, duke komentuar ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH për territorin e RS.

“Pasojat më të mëdha të aventurizmit të tillë të liderëve politikë në RS do t’i vuajnë banorët e RS-së”, potencoi ai.

Po ashtu, Përfaqësuesi i Lartë njoftoi se ka marrë një vendim për ndryshimet në Kodin Penal, i cili sanksionon sulmin ndaj rendit kushtetues në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Më lejoni të bëj një paralajmërim. Të gjitha opsionet janë në tryezë dhe ju të gjithë e dini shumë mirë se çfarë përfshijnë fuqitë e Bonit në dispozicionin tim”, paralajmëroi Schmidt.

Në konferencën për shtyp që ka mbajtur ai nuk ka specifikuar saktësisht se cilat dispozita të Kodit Penal të Bosnjë e Hercegovinës po ndryshon, por mediat boshnjake supozojnë se bëhet fjalë për artikuj që flasin për sulm ndaj rendit kushtetues, për tentativat për të shkëputur me forcë një pjesë të vendit dhe për dobësimin e fuqisë ushtarake të shtetit.

Ndërsa, një informacion ende i pakonfirmuar ka dalë se secila prej këtyre veprave duhet të dënohet me të paktën pesë vjet burg.

“Në këtë mënyrë zbatoj pjesërisht një nga 14 prioritetet e opinionit të Komisionit Evropian, që është sigurimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Me vendimet e mia sot kam kontribuar në zbatimin e këtyre vendimeve. Kjo do të sigurojë gjithashtu që banorët nga e gjithë BeH të përdorin të drejtën për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese të BeH, sepse për shkak të sjelljes së përfaqësuesve politikë në RS, banorët e RS dhe një pjesë të rrethit Brçko’s u penguan ta bëjnë këtë”, shtoi Schmidt.

Schmidt anulon ligjet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore