Lajme

Dita kur perëndoi “nata e thikave të gjata”


Trupat e NATO-s futen në Kosovë

Bota njeh shumë shprehje tmerri siç është “nata e thikave të gjata” – kodi për tregimin më të zymtë në Evropën e shekullit njëzetë që flet për spastrimin etnik të hebrenjëve në Gjermaninë naziste nga 30 qershori deri më 2 korrik 1934.

Për shqiptarët që kishin mbetur gjallë në Kosovë, nata mes 11 dhe 12 qershorit 1999, ishte dita e lirisë. Atëherë kur tankset britanike “Challenger” në rrugë tokësore dhe “Apache-t” amerikanë përmbi qiell, filluan marshimin në Kosovë.

Ushtarët e NATO-s, ashtu edhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u pritën nga kosovarët si çlirimtarë. Tashmë kishte perënduar “nata e thikave të gjata” dhe lindi “ylli i Perëndimit” në Kosovë.

Diplomati anglez, Rober Cooper, do të shkruante më vonë se përgjigja e Perëndimit ndaj situatës në Kosovë u nxit nga kujtimet e holokaustit dhe të torturave çnjerëzore që solli nacionalizmi i skajshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Këto eksperienca historike shërbyen si përligje për ndërhyrjen e armatosur në Kosovë. Rendi evropian në mënyrë të veçantë është i bazuar në historinë evropiane dhe në vlerat që nxjerrin nga historia”, shkruante Cooper.

Fakti që ky gjenocid po ndodhte në Evropë u dha perëndimorëve jo vetëm një përgjegjësi më tepër, por u dha edhe një leje të veçantë, për të shkuar në luftë e për ta ndaluar atë. Pra historia dhe morali fituan mbi parimet tradicionale dhe ligjet ndërkombëtare në këtë rast.

Më 12 qershor do të hynin në Kosovë trupat e para të NATO-s, të cilët erdhën nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Bombardimet e NATO-s mbi Serbinë përfunduan pas 78 ditëve, ndërkaq lufta në Kosovë përfundoi pas 14 muajve.

Mu atëherë, rreth 200 ushtarë rusë në shërbim në misionin paqeruajtës në Bosnje-Hercegovinë, arritën në Aeroportin e Prishtinës, me qëllim që ta merrnin nën kontroll. Kjo duhej të përcillej nga një ardhje e më shumë ushtarëve që ishin nisur nga Rusia më aeroplanë.

Spekulohej se ky kontigjent do të numëronte 7-12 mijë ushtarë, që do të merrnin nën kontroll zonat në Kosovë të populluara kryesisht me serbë etnikë. NATO-ja veçse kishte marrë paralajmërimin për ardhjen e kontigjentit rus dhe kishte ekzistuar rreziku i konfrontimit të drejtpërdrejtë me ta.

Gjenerali amerikan Wesley Clark, sipas transkriptave që ishin bërë publike më pas, donte të sulmonte aeroportin dhe përmes kësaj edhe njësitet ruse. Gjenerali britanik Micheal Jackson, i cili ishte caktuar si komandant i KFOR-it, pati kundërshtuar.

Situata shumë e tensionuar mes gjeneralëve të NATO-s gati sa nuk e solli një luftë të tretë botërore disa muaj para se shekulli i njëzetë të mbyllte dramën e vet të gjatë. Megjithatë, acarimi ishte shmangur në minutat e fundit.

“Mike, nuk po të kërkoj të fillosh luftë të tretë botërore. Po të kërkoj të bllokosh rrugët ashtu që ne të mos përballemi me një çështje që do të prodhojë krizë… nuk ka përse të jetë ballafaqim…”, pati thënë gjenerali Clark.

Problemi ishte zgjidhur duke e lejuar kontigjentin e vogël rus të mbetej aty. Mirëpo, përpjekja për ta forcuar atë kontigjent dështoi kur shtetet aleate kishin refuzuar t’i jepnin leje fluturimi aeroplanëve rusë.

Paraprakisht, më 9 qërshor u nënshkrua Marrëveshja ushtarako-teknike, që kishte paraparë një plan të detajuar të tërheqjes së ushtrisë dhe policisë serbe, kurse më 10 qërshor u miratua Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte një forcë paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

Kjo rezolutë parashihte tërheqjen e plotë të të gjitha forcave të sigurisë dhe vendosjen e Kosovës nën kontrollin ekskluziv të OKB-së. Tërheqja e plotë serbe nisi atëherë, kurse nisja e zbarkimit të forcave të NATO-s ndodhi menjēherë të nesërmen.

Këtë të hënë festohet 24 vjetori i çlirimit, ditë kjo e cila nuk është festë zyrtare në Kosovë. Ligji për festat zyrtare, 12 qershorin e njeh vetëm si ditë memoriale, madje nuk e njeh as si ditë të çlirimit – kur nisi largimi i çizmes së fundit të ushtarit serb – por si ditë të paqes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore