Kosova

Dita e dytë e Samitit të Bashkimit Evropian


Samiti i Bashkimit Evropian, 2022

Në Bruksel këtë të premte do të zhvillohet dita e dytë e Samitit të Bashkimit Evropian.

Udhëheqësit do të zhvillojnë një diskutim strategjik se si të përforcojnë marrëdhëniet e BE-së me partnerët e tyre, përfshirë këtu edhe mënyrën se si të nxitet dialogu politik dhe të forcohet siguria, stabiliteti dhe prosperiteti i kontinentit evropian.

Gjithashtu temë diskutimi do të jetë edhe lufta në Ukrainë rreth ndikimit në krizën globale të sigurisë ushqimore, mbështetja ushtarake, politike dhe humanitare.

Më pas është planifikuar të ketë një konferencë për media nga presidenti francez, Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, dhe presidentit i Këshillit Evropian Charles Michel.

Një ditë më parë zëdhënësi i Presidentit të Këshillit Evropian, Barend Leyts, ka bërë publike konkluzionet përfundimtare për Ballkanin Perëndimor.

Në këto konkluzione, nuk u përmend fare liberalizimi i vizave për Kosovën, por vetëm bëhet fjalë për zgjidhjen dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

“Këshilli Evropian rikonfirmon urgjencën e arritjes së përparimit të prekshëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, veçanërisht dialogun Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në konkluzionin përfundimtar për Kosovën.

Teksa, në pikën e parë të këtyre konkluzioneve, thuhet se Bashkimi Evropian shpreh angazhimin e tij të plotë dhe të qartë për perspektiven e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Por, Këshilli Evropian ka dhënë konkluzionet për Bosnjë dhe Hercegovinë rreth statusit si vend kandidat për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Në këto konkluzione thuhet se ky këshill e mirëpret marrëveshjen politike të arritur më 12 qershor nga liderët e Bosnjë dhe Hercegovinës në Bruksel.

Në ditën e dytë të këtij Samiti, presidentja e Vjosa Osmani nuk do të jetë e pranishme pasi ka udhëtuar në Tajlandë e Singapor, si përfaqësuesja e parë e Kosovës.

Ajo do të marr pjesë edhe në samitin “Global Summit of Women”, në të cilin presidentja do të flasë për rolin dhe potencialin e grave në realitetin e ri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore