Kosova

Osmani vizitë pune në Tajlandë dhe Singapor


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Tajlandë dhe Singapor ku do të takohet me përfaqësues të lartë shtetëror.

Këtë e ka bërë të ditur zyra e Presidencës, përmes një njoftimi në të cilin thuhet se kjo është vizita e parë e një kreu të shtetit të Kosovës në këto dy të shtete të Azisë Juglindore.

Presidentja Osmani, gjatë qëndrimit në Tajlandë do të pritet nga kryeministri i këtij shteti Prayut Chan-o-cha.

Ajo do të marr pjesë edhe në samitin “Global Summit of Women”, në të cilin presidentja do të flasë për rolin dhe potencialin e grave në realitetin e ri.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjithashtu, Osmani do të marrë pjesë edhe në një forum ekonomik të organizuar nga Këshilli Diplomatik dhe Oda Ekonomike e Tajlandës ku do të diskutohen mundësitë e tërheqjes së investitorëve nga ky shtet, por edhe mundësive ekonomike që i ofron Kosova.

Pas vizitës në Tajlandë, presidentja do ta vazhdojë vizitën në Singapor, ku pritet të takohet me homologen e saj, Presidenten Halimah Yacob, kryetarin e Parlamentit Tan Chuan-Jin, ministren e Lartë të Shtetit për Zhvillim Kombëtar dhe Punë të Jashtme, Sim Ann dhe me Ministrin e Lartë të Shtetit, Mohamad Maliki Bin Osman.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë edhe në samitin e Bashkimit Evropian-Ballkani Perëndimor të enjten e 23 qershorit, ndërsa temë kryesore ishte liberalizimi i vizave për Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore