Lajme

Diplomatët e bëjnë të qartë – Së pari vendimi për themelimin e Asociacionit, pastaj pjesa tjetër


Debati i mbajtur lidhur me Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, insiston se është shumë e rëndësishme që çështja e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara është në një nga pikat e fundit të marrëveshjes me Serbinë, por ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, dhe ai i Gjermanisë, Jorn Rohde, kanë deklaruar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është hapi i parë i fillimit të implementimit të marrëveshjes.

Ata presin që Qeveria e Kosovës të nis bisedimet për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe menjëherë, ashtu sic shkruan edhe në Aneksin për implementimin e Marrëveshjes për Rugën drejt Normalizimit të Raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Deklaratat e tyre Guerot dhe Rohde i kanë bërë gjatë një diskutimi të organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë me temën “Propozimi Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, të premten e 31 marsit.

Ambasadori i Francës konsideroi që në rast të moszbatimit të marrëveshjes në formën siç është nënshkruar do të ketë pasoja për të dyja palët.

“Presim nga Qeveria e Kosovës, siç ceket në aneks që Kosova të fillojë negociatat në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të ofrojë garanci për të siguruar një nivel të vetëqeverisjes të komunave me shumicë serbe të Kosovës në pajtim me marrëveshjet dhe për ne teksti është i qartë që flet për krijim të Asociacionit”, ka thënë ai.

“Do të ketë pasoja nëse nuk zbatohen dhe nuk përmbushet dinamika e përcaktuar, prandaj do të përpiqemi t’iu themi se çfarë pasojash janë ato. Do të thosha se presim nga Qeveria që ta lëshojnë vendimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ky është hapi i parë”, deklaroi ai para gazetarëve.

Sipas Guerot, dialogu ka marrë një trend pozitiv dhe “nuk duhet ta humbasë këtë mundësi”.

“Të dy marrëveshjet (27 shkurt dhe 18 mars) janë një arritje e madhe dhe udhëheqësit ishin të suksesshme. Pavarësisht se nuk u nënshkrua, marrëveshja është obliguese dhe detyruese për Kosovën e Serbinë dhe presim nga dy vendet që t’i zbatojnë ato. Do të ketë pasoja nëse nuk zbatohen dhe nuk përmbushet dinamika e përcaktuar”.

Të njëjtën kërkesë e shfaqi edhe ambasadori gjerman, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i përmbushë obligimet e saja në kuadër të marrëveshjes.

“E kuptoj skepticizmin, por natyrisht ne jemi optimistë. Jam optimist sepse ka shumë presion politik. Alternativa tjetër është që rruga e mbyllur për BE për të dyja vendet. Të rinjtë po largohen dhe ne duhet të ndryshojmë këtë – e kjo bëhet nga vullneti politik për të ndryshuar”.

“Kosova duhet t’i përmbush obligimet duke bërë hapa që ta themelojë Asociacionin. Serbia duhet të pajtohet që Kosova është një fqinj që ka perspektive evropiane”, pohoi diplomati gjerman.

E pranishme në këtë takim ishte edhe analistja serbe nga Kosova, Milica Andriç Rakiç, ku tha se mesazhet të cilat janë duke i pranuar nga bashkësia ndërkombëtare bëjnë të ditur se Kosova dhe Serbia nuk janë bindur se marrëveshja do të zbatohet shpejt dhe lehtë.

“Nuk ishte e mençur të shpallej aneksi deri të përkufizohej zbatimi i tij. E vështirë të parashihet se çka do të ndodhë. Çështje shumë e vështirë dhe negociata të vështira, dhe nuk e shoh problem që ato të jenë sekrete. Por në terren gjërat realizohen me vështirësi. Veriut nuk i është kumtuar rezultati i dialogut”, deklaroi ajo.

Madje nga këndvështrimi i saj as deklaratat e zyrtarëve “nuk janë premtuese”.

I të njëjtit mendim ishte edhe drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, i cili u shpreh skeptik së marrëveshja do të mund të zbatohet.

“Kemi mbetur prapa dhe kemi arritur deri aty saqë në situata të caktuara ta rrezikojmë edhe sigurinë rajonale, këtu i referohem raportit Kosovë-Serbi. Kurti e Vuçiç kanë qëllime të kundërta dhe duan të humbin kohë. Kjo më bënë skeptik se do të zbatohet marrëveshja. Edhe nëse zbatohet shija politike do të jetë e rëndë që marrëveshja të zbatohet në tërësi”.

Sipas tij, në formën që janë aktualisht palët, e kanë të vështirë që të përparojnë.

Madje situata mund edhe të përkeqësohet.

“Nëse mendojmë që në këtë formë siç jemi tani mund të ecin, do të jetë e vështirë. Kam qenë më optimist. Sa i përket rolit ndërmjetësues të BE-së mendoj se aneksi nuk është sa duhet i qartë dhe kjo po i jep hapësirë keqinterpretimeve të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe pastaj asaj në Ohër”.

“Kam frikë se si është duke shkuar mund të reflektohet edhe në rritjen e tensioneve etnike sepse dy popujt i kanë pritjet e veta nga dialogu. Nëse këto pritje nuk e kanë një emërues të përbashkët të jetës paqësore në këtë vend, kjo marrëveshje ka mundësi të na kthehet bumerang dhe të prodhojë konflikte”, u shpreh ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore