Lajme

Diaspora pulson ekonominë kosovare


Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës

“Efekt të madh do të ketë ardhja e mërgimtarëve në Kosovë, pas një viti të vështirë të pandemisë. Historikisht në pjesën e dytë të vitit apo në gjashtë mujorin e dytë gjithmonë ka pasur ngritje në përformancën e gastronomisë”, thotë Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomeve, për Albanian Post.

Vraninca këtë pjesë të vitit e konsideron shumë vitale.

“Por tani edhe në kohën e pandemisë në të cilën po ndodhemi dhe nevoja për rehabilitim të bizneseve, sidomos sektori i gastronomisë i cili ka pasur një vit të jashtëzakonshëm negativ nga pandemia, do të shërbente si një lloj për të rehabilituar këtë zgjedhje që po kalon”.

Njohësit e çështjeve ekonomike, thonë se diaspora këtë vit do të jetë infuzion për ekonominë e Kosovës. Numri i mërgimtarëve që do të vijnë në Kosovë pritet të jetë shumë i madh, për shkak të pamundësisë për të udhëtuar vitin e kaluar si pasojë e pandemisë COVID-19.

Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari” në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se ndikimi i diasporës në rritjen ekonomike do të jetë i rëndësishëm këtë vit.

“Mendoj që gjasat janë që mërgata këtë radhë të vijë në numra më të mëdha sesa zakonisht, sepse e kemi pasë vitin e kaluar ku nuk kanë mundur të vijnë për shkak të pandemisë, besoj që këtë herë interesimi që të vijnë në Kosovë do të jetë edhe më i madh”, thotë Ymeri.

Ai thotë se ana pozitive e këtij lajmi është për ekonominë e Kosovës.

“Shuma e parave që shpenzohet duke e marr parasysh edhe vitin e kaluar, mendoj që ka me qenë edhe më e madhe besoj që ndikimi i tyre në rritje ekonomike ka me qenë goxha i rëndësishëm këtë vit”.

Kurse, hulumtuesi dhe analisti i politikave në organizatën “Germin”, Lirim Krasniqi, i cili merret me çështje të diasporës është shprehur se ardhja e diasporës gjatë sezonit të verës do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në aspektin ekonomik.

“Ne besojmë se do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në aspektin ekonomik, këta duke pas parasysh në ndikimin që e ka pasur diaspora gjatë viteve të kaluara, dhe mungesën e diasporës gjatë vitit 2020”, ka deklaruar ai.

Më pas ai ka potencuar se nga një vlerësim që është bërë vitin e kaluar, vërehet se ka pasur rreth 1 milion më pak vizitorë deri në fund të gushtit, krahasuar me vitin paraprak.

“Mund të themi se ka pasur ulje të të hyrave gjatë vitit 2020, të cilat pritet të kompensohen këtë vit, ku diaspora është më e gatshme dhe e ka më të lehtë të vijnë gjatë verës, dhe gjithashtu sipas një vlerësimi që kemi bërë ne në skenarin më të mirë të mundshëm, vetëm gjatë sezonit veror ka pasur 200 milionë më pak të hyra për shkak t mungesës së vizitave nga diaspora në vitin 2020”.

Për 13 vjet, Kosova ka pranuar afër nëntë miliardë euro remitenca. Ato janë burime financiare që, qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit, dërgojnë te familjet e tyre.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, remitencat janë vitale për zhvillimin e botës.

Remitencat individuale mund të jenë “në vlerë relativisht të vogël”, por remitencat e përgjithshme janë tri herë më të mëdha sesa ndihma zyrtare botërore për zhvillim. Sipas OKB-së, remitencat shërbejnë për të mbuluar shumë nevoja bazike të familjeve dhe mbështesin edhe edukimin.

Qeveria e Kosovës në planin qeverisës katërvjeçar ka paraparë që nëpërmjet krijimit të instrumenteve për investim, kapitali i diasporës të kanalizohet në investime që krijojnë vende pune. Ky plan i qeverisë, ka paraparë që nga viti i parë i qeverisjes të emetohen bono thesari, të dedikuara për diasporën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore